E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Platforma e detajuar mundesi vleresimin e kontributit te anetarit

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar prezantimin e platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike, në Lezhë, Kukës dhe Laç. Zoti Basha ka theksuar se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike do të hartojë një platformë me anë të cilës të bëhet e mundur vlerësimi i kontributit të çdo anëtari të PD, nga themeluesit e deri tek më të rinjtë. 

“Më lejoni të shpreh mendimin tim, se një nga shkaqet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes, mirënjohjes, përfilljes dhe respektit për anëtarët dhe militantët e thjeshtë të Partisë Demokratike. Ne duhet dhe do të përgatisim një platformë, e cila ta shlyejë këtë borxh të akumuluar me anëtarësinë tonë” – u shpreh Basha.

 Zoti Basha ka paralajmëruar se menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të PD do të bëjë një analizë të thellë të rezultatit të 23 qershorit, duke dëgjuar zërin e çdo anëtari.

“Në vullnetin tim personal sot dhe dhënë besimi juaj në vullnetin tim si kryetar i ri i Partisë Demokratike, që gjëja më e rëndësishme që duhet bërë dhe do të bëhet është analiza e plotë, e gjithanshme dhe me përfshirjen e çdo anëtari të PD, e zgjedhjeve të 23 qershorit, jo për të bërë koka turku, as për gjueti shtrigash, natyrisht as për të larë duart nga përgjegjësitë por për të parë sy me sy njeri – tjetrin, çfarë gabimesh bëmë, në mënyrë që në bazë të këtyre gabimeve, të sigurojmë anëtarësinë e plotë të PD dhe mbështetësit tanë, se do të mësojmë prej tyre dhe do të kthehemi më të vendosur dhe më të fuqishëm se kurrë”, - vlerësoi Basha. 

Përballë mazhorancës së mashtrimit, zoti Basha ka paralajmëruar se do të qëndrojë e fuqishme, opozita e drejtuar nga PD.

“Ne duhet të jemi të vendosur që Partia Demokratike të tregohet një forcë e madhe dhe e hapur, e gatshme të përthithë dhe kapitalizojë çdo energji, çdo forcë që sot e sheh veten në opozitë me mazhorancën e zullumit, të përndjekurit politikë, pronarët, biznesin e vogël, të  mesëm dhe grupet e tjera të interesit të ekonomisë shqiptare që presin të përballen me furinë neo-bllokmene të mbushjes së valixheve që i zbrazën duke blerë votat e shqiptarëve, me botën akademike, me shoqërinë civile dhe për ta vektorizuar të fuqishëm sot si energji opozitare e nesër si kusht i një mazhorance që do të vijë në pushtet”, - nënvizoi ai. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›