Basha: Rama projekt të rrezikshëm për INSTAT-in
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka cilësuar si të rrezikshme deklaratat e djeshme të kryesocialistit Rama për një formulë të re menaxhimi për INSTAT-in.
Në një prononcim për mediat gjatë inagurimit të rrugës “Gramoz Pashko” në Tiranë, Basha u shpreh se Rama kërkon të zhdukë zërat e të vërtetës me qëllim fshehjen e dështimeve për mosmbajtjen e premtimeve piramidale.
“Qëndrimi i djeshëm i kryesocialistit dëshmon një mendësi të vjetër anti-shtet dhe është një propozim për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës që është ISNTAT që opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka shkuar për shtat. Projekt i rrezikshëm antishtet me qëllim manipulimin e të vërtetës, duke vërtetuar se premtimet piramidale të 23 qershorit që ishin skema e mashtrimit po sjellin kosto pas kostos, dhe pjesë e kësaj është tentativa për të manipuluar të vërtetave për fshehjen e dështimeve dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale. PD do mbrojë INSTAT si zë i besueshëm dhe në mbrojtjen e të vërtetës si është, demaskimin e përpjekjes pa u instaluar në pushtet” tha Basha.
Deklaratat e Patozit, Basha: U shprehën 41 mijë anëtarë të PD-së
I pyetur në lidhje me deklaratat e Astrit Patozit se gara për kreun e PD-së ishte e parapërcaktuar, Basha u shpreh se ka dëgjuar vullnetin e 41 mijë anëtarëve.
Në PD cdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë kjo vlen për këdo, jemi parti e njerëzve të lirë dhe e lirisë së shprehjes së mendimit, mbi 41 mijë anëtarë janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre është detyra ime dhe e gjithkujt të angazhohemi për një përballje të fortë me sfidat që na presin dhe kthimin e tyre në mundësi dhe shpresë për shqiptarët dhe për Partinë Demokratike” tha Basha.
Sa i përket ingaurimit të rrugës Gramoz Pashko, Basha theksoi se ajo është një tjetër premtim i mbajtur i bashkisë dhe një dëshmi për transformimin e Tiranës.