Basha: Sot nisim të ndërtojmë Partinë Demokratike moderne për qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vjen me një mesazh, pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, që u mbajt paraditen e së shtunës (2 shtator).
Përmes një postimi në Facebook, Basha ka vlerësuar qëndresën e anëtarëve dhe drejtuesve nga seksioni deri te kryesia e PD-së, pa të cilët sipas tij, kjo parti nuk do të ishte sot këtu.
Kreu i demokratëve shprehet se nga sot do të nisë ndërtimi i PD për qytetarët dhe jo të kryetarit. “Partia Demokratike do të jetë aty për të luftuar vetëm për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve!”, thekson Basha në mesazhin e tij.
“Pa qëndresën e anëtarëve dhe drejtuesve nga seksioni deri te kryesia e PD-së ne nuk do të ishim sot këtu për të ndërtuar të ardhmen, që t’ju shërbejmë njerëzve, që të hapen vende pune për të rinjtë tanë, që të rriten të ardhurat për familjet shqiptare, që ato të kenë arsim dhe shëndetësi më të mirë.
Për këtë nisim sot të ndërtojmë Partinë Demokratike moderne, partinë e qytetarëve dhe anëtarëve dhe jo partinë e kryetarit. Sepse kryetarët ikin e vijnë, por demokratët dhe Partia Demokratike do të jetë aty për të luftuar vetëm për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve! Mirënjohje për secilin prej tyre!”, shkruan Basha.
Lulzim Basha mblodhi Kuvendin Kombëtar pas rizgjedhjes së tij në krye të Partisë Demokratike zyrtare për të 4-tën herë.
Partia Demokratike zyrtare përllogarit rreth 25 mijë anëtarë me të drejtë vote, sipas deklaratave zyrtare, nga 75 mije që kanë qenë përpara se të krijohej krisja politike me ish-kryetarin historik të PD-së, Sali Berisha.
/rtsh.al/