Basha: Zgjedhja nuk është Rama që largoi shqiptarët nga vendi, as PD e marr peng nga Meta dhe Elvis Roshi

Lulzim Basha, drejtues politik i Koalicionit Euroatlantik, së bashku me disa nga kandidatët për deputetë, zhvilluan të dielën një takim me diasporën në Selanik të Greqisë.
Në fjalën e tij gjatë këtij takimi, Basha deklaroi se, zgjedhjet e 11 majit janë një moment vendimtar për të ardhmen e vendit.
Sipas tij, Koalicioni Euroatlantik ofron një program konkret për lehtësimin e barrës financiare dhe ndaljen e largimit masiv të shqiptarëve.
“Të votosh që më shumë të rinj të largohen nga vendi, më shumë të rinj ta braktisin familjen e tyre, më shumë të papunë t’i bashkohen ushtrisë së pafund të emigrantëve dhe më pak shqiptarë të jenë në gjendje të punojnë e të jetojnë me djersën e ballit në Shqipëri. O me Edi Ramën, o me Shqipërinë, o me Edi Ramën o me famlijet tuaja, o me Edi Ramën, o me fëmijët tuaj. Kjo është zgjedhja më 11 maj dhe unë e di, e shoh dhe e prek kudo se shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë ndarë mendjen të ndahen pas 12 vitesh nga Edi Rama, nga ndëshkimet dhe korrupsioni i tij”, u shpreh Basha.
Sipas tij, zgjedhja nuk është as të votosh Partinë Demokratike të marrë peng nga Ilir Meta dhe Elvis Roshi.
“Zgjedhja është të votosh për fëmijët e tu, për familjen tënde, Koalicionin Euroatlantik, numrin 4, programin tonë, kandidatët tanë. Sepse ne nuk vijmë në Selanik për turizëm elektoral, as për populizëm, as thjesht për t’ju marrë votën e për t’ju mos ua parë bojën deri në zgjedhjet e ardhshme. Ne vijmë sepse e ndjejmë dhimbjen tuaj, e prekim dhimbjen tuaj edhe kur nuk jemi bashkë tek familjarët tuaj në Shqipëri. Dhe kështu së bashku me këtë ndjeshmëri kemi formuluar një program i cili në radhë të parë synon t’ju çlirojë ju nga barra financiare që mbani mbi supe tuaja për fëmijët dhe familjet tuaja në Shqipëri”, tha Basha.
Basha theksoi se prioriteti është edhe kthimi i dinjitetit të pensionistëve, ku pensioni minimal do jetë 250 euro dhe ai mesatar 450 euro. Po ashtu, ai tha se për pensionistët me të ardhura nën 300 euro, muaj për muaj të marrin një pagesë fikse për të përballuar tërësisht ilaçet dhe faturën e energjisë.
“Duke filluar nga çiftet e reja shqiptare që të kenë mundësi të marrin një banesë me hua, që sot është e pamendueshme për shumicën dërrmuese të çifteve. e ndaj Shqipëria jo vetëm zbrazet nga emigracioni, por po shpopullohet edhe nga palindshmëria. 30 mijë çifte të reja çdo vit, të cilët me paratë e buxhetit të shtetit do të përfitojnë zbutje të interesave të kredisë dhe të kushteve të kolateralit me bonusin për bebet 5-fush të asaj që marrin sot për fëmijën e parë dhe fëmijën e dytë dhe 20 mijë euro për fëmijën e tretë, ne do të heqim një pjesë të barrës financiare që sot është tërësisht mbi supet tuaja, do ta bëjmë barrë financiare të përballueshme nga buxheti i shtetit shqiptar. Pensionistët me pensionet më të ulëta dhe çmimet më të larta. Zotimi ynë i parë dhe kryesor është ekonomia shqiptare, rigjallërimi i të cilës do të rrisë bazën e të ardhurave dhe do të mundësojë që shteti shqiptar përmes këtyre të ardhurave t’i përgjigjet kategorive më në nevojë. Duke shkurtuar këmbët e korrupsionit shqiptar, duke bërë të qartë që paratë s’mund të jenë edhe tek shokët e Edi Ramës edhe tek pensionistët shqiptarë, por do të jenë tek pensionistët shqiptar dhe jo tek shokët e Ramës, ne marrim përsipër pensionin minimal prej 250 eurosh, pensionin mestar prej 450 eurosh dhe mbi të gjitha marrim përsipër për të gjithë ata pensionistë nën 300 euro, muaj për muaj të marrin një pagesë fikse për të përballuar tërësisht ilaçet dhe faturën e energjisë. Nuk do të ketë më barna të parimbursueshme për pensionistët shqiptarë”, tha Basha.
/rtsh.al/