Basha apo Berisha? Kë do të zgjedhë KQZ si përfaqësues të PD

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është tashmë fushë beteja mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Të dy PD-të kanë dorëzuar dokumentet për tu regjistruar si përfaqësues zyrtarë të PD dhe që kanë të drejtë të zgjedhin kandidatët për kryetarë të bashkive dhe këshillash bashkiakë, në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
PD e Bashës
Në dokumentin 8 faqësh që Sekretari për çështjet ligjore Indrit Sefa, ka dorëzuar në KQZ është bashkangjitur dhe vërtetimi i datës 1 mars 2023 i Zyrës së Regjistrit të Partive Politike pranë gjykatës së Tiranës ku vërtetohet se ”PD” ose “PDSH” është me kryetar të partisë, Lulzim Bashën.
Po kështu është dorëzuar dhe autorizimi i Bashës që mban datën 18 mars 2022 që autorizon nënkryetarin Enkelejd Alibeaj ose Sekretarin e Përgjithshëm Gazmend Bardhi apo Sekretarin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore Indrit Sefa të nënshkruajnë aktet për paraqitjen e kandidatëve të PD-së për të gjitha organet e njësisë të qeverisjes vendore.
Ndërkohë 21 mars 2022 Lulzim Basha dha dorëheqjen, por ky fakt nuk përmendet në dokumentet bashkangjitur dhe që i janë dorëzuar KQZ.
PD e Berishës
Nga ana tjetër PD e Berishës dorëzoi një dokument prej 47 faqesh ku kërkon që të regjistrohet si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme vendore .
Në pikën dy shkruhet se kryetari i vetëm i PD-së është Sali Berisha dhe vetëm ai mund të paraqesë për regjistrim në emër të PD-së kandidatët për kryetarë bashkie dhe listat e këshilltarëve për çdo zonë zgjedhore.
Gjithashtu përmendet dhe vendimi i datës 3 mars 2023 të Gjykatës së Apelit.
“Vendimi nr 44 datë 3. 3. 2023 të gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm është një vendim jo përfundimtar dhe jo i formës së prerë në kuptim të parashikimeve të nenit 451 shkronja ç të Kodit të Procedurë Civile të Shqipërisë, i cili do të rekrusohet nga ana jonë sapo të na komunikohet vendimi i arsyetuar nga Apeli.
Rekordet e organeve drejtuese të PD-së që figurojnë të pasqyruara në regjistrin e partive politike janë të vjetra dhe nuk pasqyrojnë korrektësisht organet drejtuese të saj, veçanërisht përsa i përket ish kryetarit të Partisë Lulzim Basha, I cili përveçse është shkarkuar nga kjo detyrë në Kuvendin Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021 por dhe ka dhënë dorëheqjen me një akt public të datës 21 mars 2022.
Kërkesat për regjistrimin e subjektit zgjedhor në zgjedhje janë akte ekskluzive të kryetarit dhe nuk mund të delegohen tek asnjë tjetër” thuhet në dokumente
Pritet që KQZ të nisë nesër shqyrtimin dhe se do të japë vendimin final se kush do të përfaqësojë PD-në në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Zgjedhjet e 14 majit 2023, PD e Bashës regjistrohet në KQZ by Rtsh Faqe on Scribd
Zgjedhjet e 14 majit 2023, PD e Berishës regjistrohet në KQZ by Rtsh Faqe on Scribd