E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Basha në Lezhë: PD e re, një partie moderne që reflekton kërkesat e kohës!

Ish kreu i PD Lulzim Basha i cili synon rikthimin në krye të partisë pas një dorëheqje disa mujore, ka premtuar ndërtimin e një partie moderne që reflekton kërkesat e kohës.

Zoti Basha është  takuar të martën me përkrahësit e tij në Lezhë duke premtuar ndryshimin e partise dhe më pas të gjithë vendit.

Ai kujtoi se “Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës së parë dhe ka për mision të kthehet një orë e më parë në detyrën që i ka ngarkuar historia dhe shqiptarët, në një aleancë të pacekshme me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE”.

Zoti Basha premtoi “ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Askush nuk do të mund ta ndalë këtë sado të përpiqet. Demokratët dhe shqiptarët nuk do të mbeten peng i halleve personale të politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar” tha zoti Basha.

Ish kreu i PD tha se “Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë”. 

Sipas zotit Basha “Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund modelit të përbaltjes”.

Për zotin Basha “Përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës janë jetike në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë”.

Ish kreu i PD që synon kthimin në krye të saj tha se “do të ndërtojmë një aleancë gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë, për të çliruar sistemin politik dhe atë ekonomik”.

Ashtu si gjatë fushatës së tij zoti Basha ka premtuar lista të hapura, vettingun në politikë, kufizimin e mandateve, votën e diasporës dhe zgjedhjen e presidentit nga populli.

“Ne do të ndërtojmë një parti moderne, që reflekton kërkesat e kohës, shoqërisë dhe nevojave të saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë” tha ish kreu i PD Lulzim Basha i cili synon rikthimin në krye të partisë, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 29 korrik.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›