E Hënë, 2 Nëntor 2026

Basha në SPAK për 21 Janarin: Informacionin merreni te institucioni, ligjërisht duhet të ruaj sekretin hetimor

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, u paraqit këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke u bërë për herë të parë personi i thirrur nga ky institucion lidhur me hetimin për ngjarjen e përgjakshme të 21 Janarit 2011.

Basha ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat menjëherë pas daljes nga godina e SPAK. Ai konfirmoi se ishte thirrur për të dëshmuar, por u tregua i rezervuar për detajet e çështjes.

“Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim. Informacioni se për cilën çështje, ju lus ta merrni drejtpërdrejt tek institucioni pasi ligjërisht duhet të respektoj sekretin hetimor. Këto ishin gjithçka kisha për të deklaruar për këtë çështje,” deklaroi ai.

Basha është thirrur në cilësinë e dëshmitarit, dhe jo si i dyshuar, për të dhënë informacion në lidhje me rrethanat e asaj dite kur gjatë një proteste u vranë katër qytetarë nga armë zjarri e përdorur nga forcat e rendit.

Në datën 21 Janar 2011, Lulzim Basha mbante funksionin e Ministrit të Brendshëm. Hetimet e SPAK synojnë të zbardhin përgjegjësit dhe zinxhirin e komandës që çoi në përdorimin e armëve të zjarrit ndaj protestuesve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›