E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha takon Thacin PD do te vazhdoje rolin e saj ne mbrojtje te ceshtjes kombetare

Kryetari i Bashkisë së Tiranës njëherazi kryetar i PD-së, priti kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaçi. Zoti Basha ka theksuar se PD në lidershipin e tij do të vazhdojë të luajë rolin e saj në mbrojtje dhe në avancim të vizionit të saj në raport me çështjen kombëtare në tërësi dhe me Kosovën në veçanti.

“Diskutuam po kështu për rolin e PD-së në mbrojtje dhe në avancim të vizionit të saj në raport me çështjen kombëtare në tërësi dhe me Kosovën në veçanti. Rolin e jashtëzakonshëm që kjo forcë politike, nën lidershipin e kryeministrit Berisha ka pasur gjatë këtyre 8 viteve dhe më parë në opozitë dhe vazhdimësinë e këtij roli, në raport me vizionin tonë, në raport me synimet tona që i ndajmë me kryeministrin Thaçi, me qeverinë e Kosovës, me popullin e Kosovës, sa i përket integrimit evropian dhe euro-atlantik të Kosovës, integrimin evropian të Shqipërisë, si një objektiv madhor dhe europianizimin në tërësi të rajonit“ - u shpreh Basha.

Zoti Basha ka vlersuar se marrëveshja historike me Serbinë hap një kapitull të ri jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.

“Kjo është provë e qartë e forcës, vetëbesimit dhe potencialit të jashtëzakonshëm që Kosova ka dhe ka krijuar në këto vite, në lidershipin e kryeministrit Thaçi dhe për të cilën bashkëpunimi nga PD, edhe në opozitë nuk do të mungojë por do të jetë i plotë, do të jetë i gjithanshëm, për të çuar më përpara këtë vizion, në dobi të qytetarëve tanë, në dobi të kombit tonë” - u shpreh zoti Basha.

Kryeministri Thaçi i ka shprehur mirënjohjen e tij dhe Kosovës zotit Basha, për kontributin e tij për ndërtimin e rrugës së Kombit dhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës në funksionin e tij si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, sikundër vlerësoi punën e tij si kryebashkiak i Tiranës.

“E përgëzova z. Basha, për punën që ai është duke bërë si kryetar i bashkisë. Në të njëjtën kohë, e falënderoj shumë kryetarin Basha, për angazhimin e tij edhe personal për ndërtimin e rrugës së Kombit, sepse e ka pasur të përjetuar dhe vetëm kështu vendosmëria e tij ka qenë më e madhe që të fillojë dhe të përmbyllet më shpejt ndaj Kosova ju falënderon z. Basha dhe unë personalisht si kryeministër i Kosovës. Në të njëjtën kohë, falënderoj kryetarin Basha për punën e tij të palodhshme, përpjekjet e tij të jashtëzakonshme që ka pasur edhe si ministër i Jashtëm në procesin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës dhe bashkërisht kemi arritur që ti kemi tash 101 njohje për Republikën e Kosovës, ky është sukses i Kosovës, sukses i Shqipërisë, është sukses i gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Natyrisht, z. Basha ka qenë në krye të përgjegjësive në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë, në krye të bashkëpërgjegjësive për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, gjithashtu në procesin e ndërtimit të rrugës së Kombit, në të gjitha punët që kemi bërë për të ardhmen evropiane edhe të Shqipërisë por edhe të Kosovës.“ - u shpreh Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›