E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkëpunim tregtar – Porti i Valdaros në Itali dhe Porti i Durrësit, marrëveshje për mallrat

Në qytetin historik të Mantovës, në Itali, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të protokollit të marrëveshjes për shkëmbimin e mallrave mes Portit “Valdaro” të Mantovës dhe Portit të Durrësit.

Marrëveshja pritet të sjellë një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik të dy vendeve, duke e afirmuar Portin e Valdaros si një nyjë kyçe për transportin lumor dhe tokësor.

“Sot nis një rrugëtim i ri. Rajoni ynë i Lombardisë dhe mbi të gjitha, qeveria jonë, po e shtyjnë me 360 gradë, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, krijimin e urave dhe mundësive fillimisht kulturore, dhe më pas sociale e ekonomike, siç është edhe Plani Mattei,” tha presidenti i provincës së Mantovës, Carlo Bottani.

Ai theksoi se është hera e parë në historinë e Italisë që një marrëveshje e tillë tregtare nënshkruhet me një shtet tjetër.

Gabriele Negrini, drejtori i portit “Valdaro” të Mantovës dhe drejtori i Financave i Portit të Durrësit, Donjet Zeneli, shprehën vlerësimin e tyre për këtë iniciativë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm për implementimin e marrëveshjes.

“Jam i lumtur që jam këtu për të firmosur këtë marrëveshje midis Portit të Durrësit dhe Portit të Mantovës. Kjo nuk është thjesht një marrëveshje formale, por një e mirë e përbashkët dhe një bashkëpunim i gjatë që do të zhvillojë të dyja vendet,” u shpreh z. Zeneli.

“Pra nëpërmjet mallrave dhe këtyre korridoreve, ne evidentojmë edhe një lidhje vëllazërore dhe në këtë moment do të nisim ta zhvillojmë me Portin e Durrësit, duke parë që me kalimin e kohës ta zhvillojmë edhe më shumë në të gjithë Mesdheun, siç po bëjmë me Planin Mattei,” shtoi z. Negrini.

Për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, një rol të rëndësishëm ka pasur edhe Petrit Kozeli, i cili prej vitesh ka ndërtuar ura lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë.

I njohur si “italiani i Shqipërisë dhe shqiptari i Italisë”, z. Kozeli nuk është vetëm një mjeshtër artizan, por edhe një diplomat në shpirt, që ka promovuar dialogun mes dy vendeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›