E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia Sarandë investon në rrugët që lidhin fshatrat si dhe rrugët e brendshme të tyre

Bashkia e Sarandës vijon të ketë në fokus të punës së saj zonat rurale, ku gjatë kësaj periudhe janë realizuar një sërë investimesh në infrastrukturën publike.

Ndërhyrjet janë përqendruar kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës rrugore me synim lehtësimin e lëvizjes së banorëve dhe rritjen e aksesit drejt fshatrave.

“Punimet kanë përfshirë jo vetëm rrugët brenda lagjeve të fshatrave, por edhe segmentet rrugore që lidhin zonat rurale me qendrën e qytetit dhe zonat urbane përreth. Çdo moment ka ndërhyrje në zonat rurale. Sa i përket investimeve sigurisht që ka investime edhe investime madhore që lidhin këto zona rurale me me zonat urbane dhe me pjesën kryesore të qytetit dhe zonat turistike siç është, por ka dhe ndërhyrje të vogla që mbulojnë nga bashkia ditë për ditë sa i përket problemeve që hasim dhe atyre që denoncojnë qytetarët.”, tha drejtori i Shërbimeve Publike, Joli Odine

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Joli Odine, fshatrat e bashkisë së Sarandës nuk ndodhen në distanca të mëdha nga qyteti, çka ka bërë të mundur ofrimin e shërbimeve dhe ndërhyrjeve infrastrukturore në kohë.

“Në përgjithësi zonat që mbulon bashkia e Sarandë, fshatrat nuk janë në një largësi të madhe që të thuash që janë zona ë të larta nga qendra e qytetit. Fshatrat Çukë, Shelega, Bedenesh, Metoq janë në një afërsi vetëm pak kilometra nga qendra. Kështu që nuk besoj se mund të flasim për zona të larta rurale që mund të kenë probleme.”, tha ai.

Përmes këtyre investimeve, bashkia e Sarandës synon të përmirësojë cilësinë e jetesës në zonat rurale, duke garantuar infrastrukturë më të mirë dhe lidhje më efikase mes fshatrave dhe qytetit.

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›