Bashkia Tiranë aksion pastrimi në 11 njësi administrative urbane

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Bashkia e Tiranës po vijon aksionin e gjerë të pastrimit në të gjithë kryeqytetin, me ndërhyrje të përditshme në rrugë, lulishte, kënde lojërash, sipërfaqe të gjelbra dhe zona të banuara.
Një nga problematikat me të cilat përballen ekipet në terren është hedhja e mobileve, kolltukëve, krevateve, pajisjeve të vjetra dhe mbetjeve të tjera voluminoze pranë koshave apo në hapësira publike.
Në kuadër të aksionit, mjetet e Bashkisë po punojnë për grumbullimin dhe evadimin e këtyre mbetjeve, ndërsa qytetarëve u kërkohet të mos i depozitojnë ato në rrugë. Për largimin e mbetjeve voluminoze mund të kontaktohet kompania publike Eco Tirana, në numrin 04 433 0250, ekipet e së cilës kryejnë tërheqjen e tyre.
Gjatë javës, strukturat e pastrimit kanë ndërhyrë në 11 njësitë administrative urbane, si dhe në lagjet nr. 12, 13 dhe 14, duke kryer pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, rrugicave, këndeve të lojërave dhe lulishteve.
Aksioni ka përfshirë gjithashtu pastrimin, mbledhjen e barit dhe mirëmbajtjen e urave përgjatë lumit Lana, si dhe sipërfaqet e gjelbra në Bulevardin e Ri dhe Bulevardin “Zogu I”.
Ekipet kanë vijuar punën edhe në blloqet e banimit, tregjet publike, trafikndarëset dhe lulishtet kryesore të qytetit, ndërsa ndërhyrje të posaçme janë zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin “Nënë Tereza”.
Aksioni i Bashkisë së Tiranës do të vijojë me fokus në pikat problematike dhe në largimin e mbetjeve të hedhura në mënyrë të parregullt në hapësirat publike.
/e.i/a.f/