Bashkia e Tiranës, padi ndaj disa këshilltarëve të majtë
Bashkia e Tiranës depoziton në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal për disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës me akuzën “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose në shërbim publik”.
Në një deklaratë për shtyp, Bashkia i referohet kaosit të krijuar ditën e premte në ambjentet e bashkisë ku këshilltarët e majtë kërkuar mbledhjen e këshillit bashkiak për të votuar shkarkimin e kreut të këshillit bashkiak Njazi Kosovrasti.
Më datë 03.05.2013, një grup personash në bashkëpunim kanë hyrë me forcë në ambientet e Bashkisë së Tiranës, duke kundërshtuar punonjësit e Policisë Bashkiake që ishin duke kryer detyrën e tyre funksionale, sipas nenit 8 të ligjit nr. 8224, datë 15.05.1997 për “Organizimin dhe Funksionimin e Policisë së Bashkisë dhe Komunës” (i ndryshuar). Këta persona, në bashkëpunim kanë shkatërruar derën kryesore të Bashkisë së Tiranës, duke mundësuar hyrjen me forcë në ambientet e institucionit” thuhet në njoftimin e bashkisë.
Në këto kushte, Bashkia Tiranë, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, i është drejtuar institucionit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për të hetuar në lidhje me këtë rast, në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat e saj ligjore e kushtetuese.