Bayern “fluturon”, Leipzig e ndjek

Bayern, jo pa vështirësi, ka arritur të marrë një fitore 1-0 në fushën e Augsburg, duke ruajtur kështu pozitat si skuadra kryesuese e Bundesligës në kuotën e 39 pikëve. Gjithçka është vendosur nga Lewandowski, në minutën e 13-të të takimit nga pika e penalltisë.
Me fat bavarezët në pjesën e dytë, teksa vendasit kanë humbur një 11-metërsh me Finnbogason, gjuajtja e të cilit u ndal nga shtylla, ndonëse Neuer u hodh në krahun e kundërt.
Edhe Leipzig, skuadra e vendit të dytë, ka marrë një fitore 1-0 në shtëpi përballë Union Berlin, duke ruajtur kështu distancën prej katër pikësh me vendin e parë. Goli për vendasit u shënua nga Forsberg në minutën e 70-të.
Koln ka marrë një fitore 2-1 në shtëpinë e Schalke, që vazhdon të mbetet në vendin e fundit në klasifikim. Arminia nuk është kursyer përballë Stuttgart duke i shkaktuar një humbje 3-0. Freiburg dhe Eintracht e kanë mbyllur në barazim 2-2 sfidën mes tyre.