E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Beci: Po krijojmë unazën e korsive të biçikletave në Shkodër

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Në Shkodër po shtohet një korsi e re biçikletash, që shtrihet nga lagjia Parrucë në drejtim të lagjes së Rusit.

Kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Benet Beci ishte i pranishëm gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e kësaj korsie, ku u njoh me ecurinë e punimeve dhe projektin që përfshin rritjen e sigurisë së përdorimit të rrugës nga banorët e qytetit.

Gjatë këtij inspektimi ai ka marrë edhe përgëzimet nga përdoruesit e biçikletave, të cilët kanë edhe një apel për Policinë për largimin e motorëve nga këto korsi që janë rrezik për ta.

Kryetari i Bashkisë Shkodër u shpreh se kjo ndërhyrje vjen si proces i krijimit të unazës së korsive të biçikletave që e kthen Shkodrën në një qytet unik për këtë shërbim ndaj banorëve, ndërsa u shpreh se puna për korsitë është e integruar edhe me planin për krijimin e parkimeve të mëdha për automjetet.

Korsia e re e biçikletave nga Parruca në lagjen Rus ka një gjatësi prej 1,3 km dhe përshkon qendrën e qytetit deri në fund të lagjes Rus. Kjo ndërhyrje është bazuar në planin e mobilitetit të hartuar nga ekspertë të huaj në bashkëpunim me specialistë të Bashkisë Shkodër që ka në themel rritjen e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe shmangien e trafikut. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›