Bedri Blloshmi: Çmë thanë njerëzit që morën pjesë në pushkatimin e tim vëllai

Bedri Blloshmi te memoriali kushtuar dy poeteve te pushkatuar
Pavarësisht kronologjisë së ngjarjeve e fakteve që përmban dosja operative e dy poetëve të pushkatuar, në korrikun e vitit 77, vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi, ka bindjen se bëhet fjalë vetëm për një pjesë të së vërtetës.Madje, sipas tij, mënyra si paraqiten mjaft dokumente të procesit të lë të kuptosh se janë redaktuar e përshtatur disa herë. Në atë që thotë, si protagonist i ngjarjes, Blloshmi saktëson aspekte të ndryshme, duke korrigjuar detaje të tëra të zbardhura në dosje pjesërisht, por edhe të denatyruara në dokumente, sipas stilit të shërbimit të fshehtë. Ai, gjatë këtyre viteve, pjesën më të madhe të historisë së grupit të famshëm të Bërzeshtës, e ka publikuar në disa libra, por ende mendon se ka gjëra të pazbuluara për ta ndriçuar deri në fund mekanizmin e krimit makabër. Në rrëfimin për Panorama, vëllai i poetit të pushkatuar veçon ditët kur ndante të njëjtën qeli me të, dramën e gjyqit në qendër të Librazhdit, profilin e spiunëve të fshehtë dhe përjetimet nga takimet me njerëzit që kanë marrë pjesë në pushkatimin e poetëve…
Zoti Bedri! Një periudhë të gjatë keni ndarë të njëjtën qeli në degën e Brendshme të Librazhdit me vëllain, Vilsonin. Çfarë kujtoni nga përjetimet e atyre ditëve?
Në asnjë rast nuk kam qëndruar në të njëjtën qeli me Conen (kështu e përmend ai emrin e Vilsonit), por në dy biruca krah njëra-tjetrës. Mua më kishin sjellë aty më parë, Vilsoni erdhi diçka më vonë. Më saktë, kur e kthyen nga burgu i Tiranës. Megjithatë, edhe në ato kushte, tërësisht të izoluar dhe të ndarë me një faqe muri, ne komunikonim, madje rregullisht.
Kishte dritare qelia?
As bëhej fjalë për dritare, por ne komunikonim me sistemin e trokitjeve, një kod ky i njohur në praktikën e të burgosurve. Conia ishte i pari që nisi dialogun me çukitjet në faqet e murit të qelisë. Me sa më kujtohet, atë sa e kishin sjellë nga birucat e Tiranës kur gati më shurdhoi me goditjet e njëpasnjëshme. Unë ende nuk ishe orientuar me këtë mënyrë komunikimi. Këmbëngulja e Cones dhe nevoja për të shkëmbyer qoftë edhe një mendim të vetëm, me sa duket më ambientuan shpejt me fjalorin e kësaj gjuhe.
Pra, që nga koha e arrestimit tuaj, me Vilsonin vendosët kontakte kur e kthyen nga Tirana. Si u morët vesh në kushtet e izolimit në dy biruca të ndryshme?

Bedri Blloshmi duke folur për Panorama Foto: Vlasov Sulaj
Është një histori më vete kjo, që sa herë e kujtoj çuditem edhe vet. Një pasdite teksa rrija i mërzitur në qeli, Vilsoni troket në mur me 36 të goditura. Nga mënyra si reagova, Conia e mori vesh se nuk e kisha kuptuar. Për të më futur në lojë me shenjat e kodit të birucave shfrytëzoi një moment kontaktin me policin e shërbimit te sporteli i qelisë. Teksa kryqëzuan shikimet, Conia i tha atij me zë të lartë: Ti je djalë me shkollë, por po më the 36 germat e alfabetit A-B-C-D e me radhë, atëherë je me të vërtetë i zgjuar. Polici ia ktheu se nuk i duhej alfabeti, por vetëm të hapte e të mbyllte çelësat e birucave. Duhet ti dish germat e alfabetit A-B-C, duhet ti dish patjetër, përsëriti Conia, këtë radhë më fuqishëm që ta dëgjoja edhe unë për të më kujtuar fjalorin e komunikimit. Kaq u desh dhe mora vesh përse bëhej fjalë. Në darkë kur më sollën çorbën, mora lugën dhe me bishtin e saj shkrova në mur 36 germat e alfabetit sipas numrit rendor
1-A; 2-B; 3-C e kështu me radhë. Kur trokisje një herë, do të thoshte se fjala fillonte me A. Kur germa ishte në numrin 10, 20, apo 30, trokitja ishte më fort. P.sh: Një e trokitur e fortë ishte germa 10. Për plotësimin e fjalës, në vijim trokitjet bëheshin me gisht. Pas provave të para, Conia më ktheu përgjigje se kjo ishte e gjitha.
Aty pastaj më shpjegoi se çfarë kishte ndodhur me të pas arrestimit…
Ligjëratën e tij tanimë e kuptoja qartë. Në fillim, më shpjegonte Conia, më thirrën në Librazhd për në zbor, bashkë me Rifat Blloshmin. Më thanë se kemi nevojë për të bërë disa parulla matanë urës së Librazhdit. Sa mbërrita aty, më doli përpara operativi Xhevat Karriqi, i shoqëruar me 10 civilë të armatosur. Më hodhën hekurat, më futën në një gaz, më mbështollën një batanije në kokë dhe më nisën pa ditur se ku po shkoja. Mbas disa orëve udhëtimi e pashë veten në një dhomë të ngushtë. Aty më hoqën batanijen, më lanë lidhur me duar prapa, mbyllën derën dhe ikën. Në të errur, në birucën ku më kishin çuar mbërritën tre civilë. Ata filluan të më pyesin për librat, poezitë e dorëshkrimet, dhe herë pas herë më thoshin se kisha agjituar kundër pushtetit popullor. Pas mesnate u hap dera e qelisë dhe hyri Kadri Habziu. Në këtë moment të tjerët dolën jashtë. Kadriu e nisi bisedën me pyetjen nëse më kishin dhënë ushqim dhe unë ju përgjigja, JO. Urdhëroi të më sillnin diçka për të ngrënë. Më pas më tërhoqi vëmendjen për ta dëgjuar me kujdes. Ti rrjedh nga një familje kundërshtare me regjimin tonë, u shpreh, ke pasur të dënuar babanë, xhaxhanë, ke në fis edhe të pushkatuar. Ke madje të arratisur jashtë, ke dajën të arratisur në Belgjikë. Je djalë inteligjent, me shkollë, me gjuhë të huaja. Kam një propozim që duhet ta pranosh patjetër. Mendohu mirë përpara se të përgjigjesh. Bedrinë e kemi arrestuar vetëm që ta kemi si garanci, as ti e as ai nuk keni bërë asnjë krim. Pastaj ke dhe 19 veta në familje. Ti sa je martuar dhe pret një fëmijë. Kërkoj të bashkëpunojmë dhe për këtë do të të dërgojmë në Belgjikë, te daja aty. Përgjigjen nuk e dua tani. Do të vij prapë. U mata ti flisja, por nuk më lejoi. Sakaq doli, iku dhe brenda u futën tre civilë të tjerë, jo ata të parët. Hekurat nuk mi hiqnin asnjë çast, vetëm kur u kërkoja për të shkuar në banje. Me batanije mbuluar më zgjidhnin. Gjithë natën më mbanin me këmbë të lidhura. Çdo ditë vinte aty kryetari i Degës së Librazhdit, që më merrte në pyetje. Kadri Hazbiu u duk sërish për të marrë përgjigjen. Përfundimisht kundërshtova. Ai u largua, kuptohet i xhindosur.
Në procesin ndaj grupit armiqësor të Bërzishtës, siç quhej në atë kohë grupi juaj, prokuroria ka ndërruar tre herë përmbajtjen e aktakuzës. Cilat ishin arsyet?
Aktakuza e parë mbeti në fuqi, me sa kujtoj, deri në fund të shkurtit të vitit 77. Sipas saj, Genç Leka penalizohej me nenet 72/12 dhe 73/1. Pas tij, isha unë me nenin 72/12, që parakuptonin krimin e sabotimit ekonomik. Me aktakuzën e parë, Vilsoni gjykohej vetëm me nenin 73/1 për agjitacion e propagandë, që parashikonte dënimin nga tre deri në dhjetë vjet heqje lirie. Pavarësisht këtyre, Coni më thoshte që në asnjë rrethanë mos ta pranonim akuzën. Këtë më porosite tia komunikoja edhe Gencit(Lekës). Ndodhi që një ditë Gencin e morën në zyrë dhe kur u kthye me tha me kodin e trokitjeve se, Selim Caka e Lulo Ymeri i kishin marrë aktakuzën duke e sqaruar se do ta ndërronin me një tjetër. Të pranishëm kishin qenë ndërkaq kryetari i Degës, Merdar Hasa, prokurori Qani Lavdari dhe Dhimitër Bashiri, i ardhur nga Tirana. Këtë ia komunikova menjëherë Cones. Pas pak më thirrën edhe mua dhe më komunikuan atë që i kishin thënë Gencit. Selim Caka, shefi i hetuesisë, më futi fletën e aktakuzës së re poshtë këmishës. Para se të më çonin prapë në birucë më thanë se më kishin prerë një kostum tjetër. I trokita Conit dhe e sqarova pse isha në zyrë. Diku më vonë e thirrën edhe atë. E mbajtë