E Diel, 1 Nëntor 2026

Bedri Hamza jep dorëheqjen nga drejtimi i PDK-së

Bedri Hamza ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke hapur rrugën për një proces të ri zgjedhor brenda partisë.

Hamza bëri të ditur se vendimi për drejtimin e ardhshëm të PDK-së do t’u takojë anëtarëve të partisë. Ai theksoi se procesi i ri duhet të krijojë më shumë hapësirë për të rinjtë dhe përfshirjen e tyre në pozitat vendimmarrëse.

Hamza tha se gjatë drejtimit të PDK-së ishte përqendruar në ruajtjen e unitetit të brendshëm, forcimin e strukturave dhe ruajtjen e besimit të anëtarësisë dhe votuesve.

Megjithatë, ai sqaroi se dorëheqja nga drejtimi i partisë nuk nënkupton largimin e tij nga PDK-ja. Hamza deklaroi se do të vazhdojë të jetë pjesë e saj dhe të mbështesë vlerat politike që përfaqëson.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh ai.

Gjatë konferencës, ai foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shprehur pakënaqësinë e tij dhe duke thënë se angazhimi për drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës do të vazhdojë.

Në përfundim, Hamza falënderoi anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin e dhënë gjatë periudhës së udhëheqjes së tij, duke theksuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi atë personal.

“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›