Befasohen kritikët, Elon Musk nuk u përzgjodh si kandidat për çmimin prestigjioz të të Drejtave të Njeriut

Miliarderi amerikan Elon Musk nuk është përzgjedhur për Çmimin prestigjioz Evropian të të Drejtave të Njeriut Sakharov 2024, pavarësisht nga një fushatë e ekstremit të djathtë që vlerëson qëndrimin e tij të fortë ndaj lirisë së fjalës.
Musk u nominua nga dy grupe të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian për çmimin Sakharov, i cili dikur iu dha, ndër të tjera, Nelson Mandela dhe Malala Yousafzai. Deputetët e ekstremit të djathtë zgjodhën pronarin e platformës X (Twitter) si një “simbol” në luftën për lirinë e shprehjes dhe për përpjekjet e tij në luftën kundër “islamizmit radikal dhe voksizmit”, tha ligjvënësi francez i BE-së Thierry Mariani, një mbështetës kryesor i nominimit të Musk.
Manjati i teknologjisë që drejton X (Twitter), Tesla dhe SpaceX ka luftuar me zyrtarë dhe rregullatorë në mbarë botën për menaxhimin e tij të platformës X. Anëtarët e komitetit të punëve të jashtme të Parlamentit Evropian në një votim të fshehtë zgjodhën aktivistin kundër korrupsionit nga Azerbajxhani Gubad Ibadoglu, lideren e opozitës venezueliane María Corina Machado dhe kandidatin presidencial në mërgim Edmundo González dhe organizatat e paqes izraelite dhe palestineze “Women Wage Peace” dhe “Women of Sun” si kandidatë për listën e ngushtë.
Konferenca e Presidentëve do të zgjedhë laureatin për vitin 2024 më 24 tetor dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në seancën plenare në Strasburg në dhjetor. Çmimi u jepet individëve apo organizatave që kanë kontribuar ndjeshëm në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, demokracisë apo të drejtave të pakicave dhe përfshin një çmim prej 50,000 euro. Kandidatët e përzgjedhur tradicionalisht marrin ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Parlamentin Evropian./abcnews.al