Begaj në Shkup, Presidentja Davkova: Marrëdhëniet, të shkëlqyera. Ka hapësirë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet në një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen e tij, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, tha se në fokus të diskutimeve ishte rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, si dhe nevoja për projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe lehtësim të procedurave përmes bashkëpunimit ndërkufitar.
“Kjo vizitë paraqet edhe një konfirmim për marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore. Këto marrëdhënie ndërtohen vetëm nëpërmjet respektit të ndërsjellë, besimit, partneritetit dhe vizionit të përbashkët. Thuajse nuk kishte çështje për të cilën nuk shkëmbyem qëndrime. Dialogu ynë politik është i bazuar në qasje të hapur dhe mirëkuptim. Ne nuk kemi çështje të hapura dhe ndaj kemi bazën për bashkëpunim në të gjitha çështjet. Krahas çështjes së progresit theksuam që ka hapësirë për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe të investimeve. Ekziston potencial i pashfrytëzuar mes biznes-komuniteteve. Nevojitet aktivitet i përbashkët infrastrukturor si dhe lidhje e ndërsjellë infrastrukturore. Duhet të lehtësojmë procedurat përmes bashkëpunimit ndërkufitar. Shembull i mirë është bashkëpunimi i drejtorive të përgjithshme doganore të të dy shteteve tona”, u shpreh Siljanovska-Davkova.
Ajo vuri theksin te perspektiva europiane e rajonit, duke shprehur kënaqësinë për hapat e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Një temë tjetër është perspektiva europiane. Ajo është më afër Shqipërisë tani, unë shpreh kënaqësinë time për këtë. Shoh hapa europianë edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi realizohet me reforma, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe fuqizimin e institucioneve demokratike. Ne të dy besojmë se nuk ka investim më të madh në Ballkanin Perëndimor sesa anëtarësimi ynë në BE,” theksoi Siljanovska-Davkova.
/rtsh.al/