Begaj pret këngëtaren Anna Oxa: Në çdo fjalë përcjell dashurinë për Shqipërinë

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në Presidencë këngëtaren me origjinë shqiptare Anna Oxa.
Kreu i Shtetit u shpreh se artistja italiane me famë botërore, Oxa në çdo fjalë përcjell si muzikë dashurinë për Shqipërinë.
“Ditë e veçantë sot në Presidencë me shqiptaren nga rrënja e Shqipërisë, Kruja, artisten italiane me famë botërore, Anna Oxa, dhe familjen e saj. Në çdo fjalë ajo përcjell si muzikë dashurinë për Shqipërinë, amanet që po e trashëgon”, shkruan Begaj në një postim në rrjetet sociale.
Në vitin 2020 Anna Oxa (Hoxha) ka marrë pasaportën shqiptare nga dora e kryeministrit Edi Rama.
Ajo ka jetuar gjithë jetën e saj në Itali dhe ka zhvilluar karrierën si këngëtare, por origjinën e saj nga Kruja nuk e ka harruar kurrë. /j.p/