Begaj takim me Autoritetin e Dosjeve të ish-Sigurimit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u takua sot me bordin drejtues të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
E pranishme ishte dhe drejtuesja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, si dhe përfaqësuesit e institucionit.
Postimi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
Sot patëm nderin të priteshim nga Presidenti Bajram Bega, një mbështetës i përhershëm i nismave për transparencën historike dhe drejtësinë sociale. Në këtë takim, së bashku me këshilltarët Arta Sakja, Klement Zguri dhe Vullnet Doka, u ndalëm në disa nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet shoqëria jonë:
Verifikimi i kandidatëve në kuadrin e fushatës së ardhshme zgjedhore, për të siguruar një proces të drejtë dhe të ndershëm;
Kërkimi dhe gjetja e të zhdukurve gjatë periudhës së komunizmit, si një akt human dhe historik;
Promovimi i ndërgjegjësimit mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë diktaturës komuniste.
Gjatë diskutimit, u theksua rëndësia e krijimit të një kulture të bazuar te pendesa e sinqertë dhe dhembshuria e vërtetë për ata që vuajtën pa faj. Një pendesë që nuk shoqërohet me veprime konkrete mbetet vetëm fjalë – angazhimi për t’i dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre është prova më e mirë e sinqeritetit.
Ne besojmë se bashkëpunimi ynë i ngushtë me Presidencën do të sjellë rezultate pozitive për të gjithë ata që kërkojnë të rikthejnë dinjitetin dhe të vërtetën e humbur të së kaluarës.
Ndryshimi fillon me përkushtim!