Begaj takon raporteren për Shqipërinë në PE: Vlerësojmë mbështetjen në procesin e zgjerimit në BE

Presidenti, Bajram Begaj, priti në takim këtë të enjte raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, me të cilën bisedoi mbi rrugën evropiane dhe sfidat reformuese e zhvilluese të vendit.
Kreu i shtetit vlerësoi punën dhe kontributin e eurodeputetes Santos në përgatitjen e raportit të vitit të shkuar për Shqipërinë, duke nënvizuar frymën mbështetëse për çeljen e negociatave për vendin tonë dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e rëndësishme që Parlamenti Evropian i ka dhënë procesit të zgjerimit të BE me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e nevojshme për arritjen e objektivave në kuadër të procesit të negociatave dhe zhvillimit të takimit të dytë ndërqeveritar BE-Shqipëri.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat specifike me të cilat po përballen vendet e tij.
Duke u ndalur tek zhvillimet gjeopolitike, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, Kreu i Shtetit nënvizoi, se Shqipëria do të mbetet gjithmonë një partner shumë i besueshëm në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian duke iu bashkuar vendimeve e qendrimeve të BE-së në këto drejtime.
/rtsh.al/