Begaj uron studentët për nisjen e vitit akademik: Investimi në dije, më i sigurti për të ardhmen

Presidenti Bajram Begaj, ka uruar studentët dhe pedagogët me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, duke e cilësuar arsimin dhe dijen si një ndër investimet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit u bëri thirrje të rinjve që ta shfrytëzojnë periudhën universitare me përkushtim, duke investuar në formimin e tyre profesional dhe personal.Begaj theksoi gjithashtu rolin e universiteteve në përgatitjen e brezave të rinj, jo vetëm si profesionistë, por edhe si qytetarë që do të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë.
“Sot nis një vit i ri akademik, një udhëtim i ri përkushtimi dhe sfidash për studentët dhe pedagogët”, shprehet Presidenti.
Ai uroi që studentët të kenë kurajë për të ndjekur ëndrrat e tyre, disiplinë për të punuar dhe besim për të arritur suksesin.
“Universitetet janë vatrat ku formohen jo vetëm profesionistët e aftë të së nesërmes, por, mbi të gjitha, qytetarët e angazhuar që do të ndërtojnë të ardhmen e vendit”, shkroi Begaj.
/rtsh.al/