E Diel, 1 Nëntor 2026

“Beqiri nuk u shpall në kërkim”, Berisha: Urdhër arresti ishte firmosur që në dhjetor, por nuk u zbatuan procedurat

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar procedurat që janë ndjekur nga organet ligjzbatuese sa i përket çështjes së Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit.

Në një konferencë për mediat, Berisha shprehet se ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar shumë vonë, pasi urdhër-arrestet datojnë që prej dhjetorit të vitit që lamë pas.

“Pra, me 24 prill ne denoncuam këtu se Agasi dhe Ermal Beqiri nuk janë në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që urdhër-arresti për ta ishte i datës 25 dhjetor 2025. Pra, edhe katër muaj më vonë këta nuk ishin.”, deklaroi Berisha.

Në lidhje me Ermal Beqirin, Berisha ngriti pretendime për aktivitetet dhe investimet e tij në disa vende evropiane, duke përmendur Austrinë, Slloveninë dhe Francën.

“Kurse Beqiri ndërmori investimet e tij në disa vende anëtare të Bashkimit Europian, siç janë Austria, Sllovenia dhe Franca. Beqiri ka përvetësuar të paktën 200 milionë euro nga Akshi i Lindave.”

Lideri i opozitës komentoi edhe protestën qytetare, që tashmë vijon prej më shumë se dy muajsh, duke u shprehur se kjo revoltë qytetare është ajo që do të sjellë ndryshimin.

“Ata të rinj, ata qytetarë që protestojnë çdo natë me orë të tëra, në të vërtetë janë zëri i ndërgjegjes së një shoqërie të tërë të dhunuar, të shtypur. Janë zëri i ndërgjegjes së interesit kombëtar. Përfaqësojnë sakrificën e vërtetë qytetare dhe rinore për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar.”

Kryetari i PD sqaroi edhe padinë në Kushtetuese për marrëveshjen e huasë me SHBA-në, duke theksuar se opozita nuk është kundër bashkëpunimit, por se procedura e ndjekur në Kuvend, sipas tij, ishte në shkelje të Kushtetutës.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›