E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat/ Kultivuan kanabis në Osmëzezë, arrestohen në flagrancë dy kushërinjtë

Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Beratit pasi kishin kultivuar kanabis në fshatin Osmëzezë. Sefedin dhe Ronaldo Mehmetaj u kapën në flagrancë teksa ishin te parcela.

64 bimët u asgjësuan nga uniformat blu. Ndërkohë efektivët sekuestruan edhe një armë gjahu çifte dhe disa fishekë në banesën e 29-vjeçarit, Sefedin Mehmetaj.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve me metoda proaktive, të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të territorit, në vendin e quajtur “Moçali”, në fshatin Osmëzezë, u zbulua një parcelë ku ishin kultivuar 64 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan.

Gjatë ndërhyrjes, u kapën në flagrancë në parcelë, shtetasit S. M., 29 vjeç dhe R. M., 26 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të cilët në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. M, u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu çifte dhe disa fishekë të armës së gjahut. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›