E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, uji shtin në varr katër njerëz

Punonin për të hapur pus uji, i zë korenti. Katër banorë të komunës Poshnjë, në Berat, vdesin të karbonizuar

Prej mëse 20 vitesh vuajnë për ujë të pijshëm. Banorët thonë se pushtetarët i kanë harruar, paçka kërkesave të vazhdueshme për ujë

Fshati Hinkë, Berat

Mungesa e ujit të pijshëm ka bërë gjëmën mëngjesin e djeshëm në fshatin Hinkë, të komunës Poshnje, në rrethin e Beratit. Katër burra kanë humbur jetën, ndërsa tentonin të hapnin një pus uji, pa e ditur se mbi kokat e tyre qëndronte heshtur linja e Tensionit të Lartë. Gjithçka ka ndodhur në orën 7:30 të mëngjesit të së enjtes, në arën e 56-vjeçarit, Xhevahir Rrebeshi, banor i fshatit Hinkë, vetëm pak kilometra në hyrje të qytetit të Beratit. Babai i katër fëmijëve, ashtu sikurse e gjithë komuna, vuante mungesën e ujit të pijshëm. Për këtë arsye, ditë më parë, pasi e pleqëroi hallin me familjen, ai vendosi të hapë një pus në arën e shtëpisë, vetëm 100 metra larg banesës. Për të mbaruar punë sa më shpejt, i ndjeri thirri 3 punëtorë, banorë të fshatrave përreth, të cilët njiheshin në zonë si ndërtues pusesh. Duke qenë se punëtorët e njoftuar për momentin ishin të zënë, ata ranë dakord me Xhevahirin që të paraqiteshin në shtëpinë e tij, mëngjesin e ditës së enjte sapo të zbardhte dita, kjo për t’iu shmangur disi vapës. Por puna për hapjen e pusit nuk ka zgjatur shumë. Të pavëmendshëm ndaj ambientit që i rrethonte, 3 punëtorët respektivisht, Agron Pepa, 46 vjeç, banor i fshatit Fier Shegan, Hekuran Hekurani, 45-vjeç, banor i fshatit Allkaj dhe Xhevahir Baho, po 45-vjeç, banor i fshatit Delisufaj, nuk kanë vënë re se vetëm dy metra mbi kokën e tyre, kalonte linja e Tensionit të Lartë, 3 mijë Volt. Ata kanë ngulur shufrën e hekurit në tokë, ndërsa fija e gjatë e metalit ka marrë kontakt me telat e korentit, duke shkaktuar vdekjen e tyre të menjëhershme. Në momentin e tragjedisë, i zoti i pusit sapo ishte larguar nga ara. Por menjëherë sapo ka dëgjuar britmat e 3 punëtorëve, ai është kthyer me shpejtësi drejt vendit ku po hapej pusi, për të mbetur edhe vetë viktimë e tensionit të lartë. Trupat e karbonizuar janë gjetur në arë, pas pak minutash, nga banorë të fshatit, të cilët rrëfejnë për gazetën “Shekulli” se në momentin e mbërritjes së tyre, gjithçka kishte marrë fund. Pas konstatimit të ngjarjes tragjike, banorët kanë lajmëruar organet e rendit, të cilët kanë bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes. Pas hetimeve të para, trupat e pajetë janë dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore në spitalin e Lushnjës, nga ku më pas në orët e mesdrekës janë përcjellë për herë të fundit në banesat e tyre, për të marrë lamtumirën e miqve dhe të dashurve.

Hinkë, ky fshat me emër të çuditshëm, ndodhet vetëm pak kilometra para se të shkelësh në Berat. Fshati, i cili është nën juridiksionin e komunës Poshnje, ka 300 familje, të cilat merren kryesisht me agrumeri dhe bujqësi, kjo edhe falë pozitës së mirë gjeografike që gëzon. Kryesisht, në të shumtët e tij, fshati është i populluar nga të vjetrit, pasi të rinjtë për shkak të papunësisë së lartë që ekziston kanë marrë rrugët e kurbetit. Paçka se kanë kushte të mira klimaterike, hinkasit vuajnë prej vitesh mungesën e ujit. Beqari, kushëri i parë me të ndjerin, na thotë se mungesa e ujit po shkatërron gjithçka. “Im kushëri, bëri goxha shtëpi, po për çfarë ta donte, kur nuk kishte ujë brenda. Uji ia hëngri kokën, ndërsa askush nuk kujtohet për zonën tonë”. Historia e ujit shëtit pothuajse në të gjithë zonën. Po të pyesësh në Barbullinj, po kështu të thonë. Edhe në Allkaj e Delisufaj, i njëjti avaz. Kudo shikon puse pa fund, të cilat hëpërhë duket se janë i vetmi mjet shpëtimi. Burrat në shtëpinë e Hekuranëve, presin arkëmortin. Ata dorovisin njëri-tjetrin me duhan, dhe sytë i mbajnë nga dera. Plaku i shtëpisë, e ndjen më shumë se kurrë peshën e viteve të gjata mbi supe. “Më mirë të kisha ikur unë,- thotë,- sesa Hekurani”. Djali i ka lënë nga pas dy fëmijë të parritur. Hekurani ishte krah i vetmi pune në shtëpi. Pas kthimit nga emigracioni, 45-vjeçari ushqente familjen me punë krahu, duke u munduar të punonte sa në ndërtim, sa në shpimin e puseve. Hapja e burimeve ujore është kthyer në mjet jetese në fshatrat e Beratit. Krahas mungesë së ujit të pijshëm, banorët në këto zona shqetësohen

edhe për tokat, të cilat po thahen si pasojë e mungesës së kanaleve vaditëse. Askush deri më tani nuk u ka trokitur në derë, për t’iu qarë hallin. “E shikon atë shkollën atje? Është ndërtuar që para 25 vitesh dhe askush nuk ka ardhur deri më sot të vejë dorë, paçka se aty mësojnë fëmijët e fshatrave të kësaj zone”,- na informon një banor i zonës për shkollën e fshatit Hinkë, e cila që nga larg duket si mos më keq. Për t’u furnizuar me ujë të pijshëm, banorët ngarkojnë kafshët dhe nisen që me mëngjes në fshatrat që të paktën u vjen ujë në rubineta. Kjo gjendje e pashpresë i ka rraskapitur, ndërsa të rinjtë gjejnë një shkak më shumë për t’ia mbathur në emigrim.

“Uji po na ha kokën. Shkojmë me gomar, 10 km, për të mbushur bidonat”

Arkëmortet me trupat e katër personave që humbën jetën mëngjesin e djeshëm, ndërsa tentonin të hapnin pus uji në fshatin Hinkë, mbërritën për herë të fundit në banesa, në orët e mesdrekës, pasi iu nënshtruan autopsisë mjeko-ligjore në spitalin e Lushnjës. Për të shkuar deri në vendngjarje duhet të heqësh ca. Gra të veshura me të zeza, që ecin me nge, buzë xhadesë, na dëftojnë se për t’u ngjitur deri në fshatin kodrinor duhet të marrim maloren. I pari që na pret në shtëpinë e të ndjerit, është i vëllai Përparim Rrebeshi, që vetëm një javë më pas do të gëzojë martesën e djalit të madh. Por vdekja e papritur e Xhevahirit, i ka prerë krahët. Thotë se tani, për shkak të zisë që do mbajë për vëllanë, nuk do të marrë orkestër për të birin.

Në çfarë ore ka ndodhur ngjarja?

Ngjarja ka ndodhur në orën 7:30 të mëngjesit, kohë kur vëllai dhe tre punëtorë të tjerë sapo kishin filluar punën. Ajo që di, është se të katër nuk kanë shpuar më shumë se 10 pond, kur kanë rënë në korent të tensionit të lartë. Shtylla e tensionit ishte shumë e ulët, kështu që shufra që po ngulnin takoi me telat, çka i karbonizoi. Në fakt, në momentin kur ka ndodhur ngjarja, vëllai im nuk ka qenë me punëtorët. Ai sapo ishte larguar për në shtëpi, kur ka dëgjuar britmat e punëtorëve, që i kishte zënë korenti. Më pas ai është kthyer menjeherë në arën ku po hapej pusi, ku edhe ka mbetur vetë i karbonizuar.

Punëtorët, nga cili fshat ishin?

Punëtorët ishin nga fshatra të ndryshëm. Njëri ishte nga Fier Shegani, tjetri nga Delisufaj, kurse të fundit nuk e di se nga ishin. Unë nuk di ç’të them më shumë, pasi vëllai është marrë vetë me këtë punë. Pusin e kemi hapur poshtë te toka, për të marrë ujin e pijshëm, pasi kemi shumë probleme me ujin e pijshëm. U bëmë shumë vite që nuk kemi ujë. I gjithë ky fshat këtu që shikon, është pa ujë. Jemi gati 300 familje që rropatemi deri në fshatin Kuç, 10 kilometra larg, me kafshë ngarkese, për të mbushur ujë. Vëllai ngriti shtëpinë e re, por si gjithë fshati, nuk kishte ujë, kështu që vendosi të hapte pus, se ndryshe nuk i dilej. Po edhe ata punëtorët e shkretë, ja me këtë punë ushqehen. Me këtë punë mbajnë familjen.

Sa fëmijë ka vëllai?

Ka dy djem dhe dy vajza. Çupat i janë larguar, ndërsa djali një javë ka që i erdhi. Unë martoj djalin javës tjetër, dhe për këtë arsye u kthye nga Greqia. Po tani për ç’dasëm të flasim? Vdekja e Xhevahirit na i preu krahët.

Po nga ana ekonomike, si jeni si fshat?

Nga ana ekonomike! Po ç’të them? Ne si fshat rrojmë vetëm me emigrimin. Të gjithë djemtë kanë ikur jashtë. Nuk kanë faj. Ç’të rrijnë këtu, kur nuk kanë as ujë.

A keni bërë problem, mungesën e ujit në komunë?

Oh, mos e pyet! Kushedi sa herë dhe askush nuk është kujtuar. E shikon atë shkollën aty pa dritare? Aty mësojnë fëmijët e tri fshatrave, Kuç, Sektor Agim dhe Hinkë, dhe deri më sot, paçka se ka mbi 20 vjet që është ndërtuar, nuk e çan kokën njeri për ta rregulluar.

Të hapësh puse, për bukën e gojës

Zia kishte pllakosur ditën e djeshme edhe në shtëpinë e Agron Pepës, banues në fshatin Fier Shegan. Ai humbi jetën mëngjesin e djeshëm, ndërsa sapo kishte nisur shpimin e pusit në arën e Xhevahir Rrebeshit. Babai i dy fëmijëve ishte usta në hapjen e puseve. Duke qenë se kishte vetë mjete shpimi, në momentin që merrte porosi nga fshatarët e zonës për hapjen e pueseve, ai merrte nga pas edhe punëtorë të tjerë. Disa ditë më parë, rrëfejnë në shtëpinë e tij, ai lajmëroi Hekuran Hekuranin dhe Xhevahir Bahon për punën e re që u ishte ofruar, pa e ditur se ky do të ishte pusi i fundit që do të hapte në jetën e tij të shkurtër. Për të gjetur ujë në zonën e Beratit, shpjegojnë banorët në këtë zonë, nuk është shumë e vështirë. Në 9 metra thellësi mund të gjesh ujë me bollëk, por që më shumë se për të pirë, është i mirë për vaditje. Kjo është edhe arsyeja që fshatarët në këtë zonë, zgjedhin t’i hapin puset në ara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›