E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bergner: Ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë, mos prekni Reformën në Drejtësi

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner u shpreh sot se  “’korrupsioni dhe krimi i organizuar janë probleme jo vetëm për investimet gjermane në vend, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe në rrugën drejt integrimit Europian të vendit”.

Në një intervistë televizive, ambasadori Bergner foli për Reformën në Drejtësi duke nënvizuar se reforma e vitit 2016 nuk duhet të preket kurrsesi.

“Jemi tepër të gëzuar në lidhje me miratimin e Reformës në Drejtësi në vitin 2016, e cila hodhi bazat dhe jep një kontribut mjaft të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes në vend dhe dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë. Në këndvështrimin tonë, Reforma në Drejtësi e vitit 2016 nuk duhet të preket. Ndryshimet mund të bëhen vetëm për të zgjeruar fushën e veprimtarisë së kësaj reforme edhe në sektorë të tjerë të vendit”, tha Berger.

I pyetur për arrestimet e fundit, ambasadori i Gjermanisë u shpreh se në Shqipëri ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë.

“Suksesi më i dukshëm i kësaj reforme është puna e SPAK-ut, i cili ka mbërritur në arrestime të rëndësishme dhe pa u bërë konkret me emra, koha e pandëshkueshmërisë ka mbërritur në fundin e saj. Gjithsekush është subjekt i zbatimit të ligjit dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët shqiptar”, tha ai.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›