E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- Ramës: Mbaj zemërimin, punonjësit e administratës do dalin në shesh me cilën forcë politike të duan

May-18-15-41-3613Kryeministri Berisha ka kërkuar nga kryesocialisti Edi Rama që të mos fyejë punonjësit e administratës. Sipas tij, Rama duhet të mbajë zemërimin, pasi sa kohë që të votohet Berisha, punonjësit e administratës do të dalin në shesh me cilën parti të duan.

Zoti Rama deklaron se ata që vijnë në sheshet e Partisë Demokratike janë robër. Unë i them zotërisë se duhet ta mbajë dëshpërimin, duhet ta mbajë zemërimin, duhet ta mbajë nervozizmin. Ke hyrë në betejë, ndiq betejën, mos bëj fyerje kolektive dhe ta mësosh se punonjësit e kësaj administrate, qendrore e lokale, në Tiranë e këtu në Elbasan, në Shkodër e në Vlorë nuk janë robotë, por janë qenie shoqërore e politike dhe sa kohë të votohet Sali Berisha, ata do të dalin në sheshe, me cilën forcë politike që të duan. Ata kanë të gjitha të drejtat politike, përveç ushtarakëve, punonjësve të policisë dhe punonjësve të Shërbimit Infomativ të Shtetit, të gjithë të tjerët, të çdo force politike, të çdo bindjeje janë të ftuar të ushtrojnë vullnetin e tyre, të mbrojnë në fushatë elektorale, pikëpamjet që besojnë. Ndaj i nderuar zotëri, kur në Gjirokastër fyeve punonjësit, duke u thënë robër, një mesazh më erdhi nga prej tyre, i cili më thoshte: zoti Kryeministër, unë mund ti them këtij zotërie, se ne jemi njerëz të lirë, jemi këtu në miting dhe ai, me sa duket, është rob i së shkuarës së tij. Nuk kemi çti bëjmë, u shpreh Berisha.

Por ju ftoj ti injoroni sharjet, akuzat, trillimet. Ne të vazhdojmë me vepra si kjo, të vazhdojmë me shkolla, me rrugë, të vazhdojmë me mbështetjen e fermerëve. Të mos harrojmë që ato që kemi bërë nuk mund të jenë asgjë tjetër, veçse një pikëmbështetje për të bërë shumë më tepër katër vitet që vijnë. Ne do të bëjmë gjithçka që rrugët e mira të shkojnë në çdo skaj të këtij qarku aty ku banojnë qytetarët e tij, që ata të kenë ujësjellës, kanalizime, qendra shëndetësore e shkolla moderne. Do të bëjmë gjithçka, për të shumëfishuar biznesin. Ne futëm në fuqi paketën e dytë të ndryshimeve të mëdha fiskale, të cilat do ti japin një hov të madh ekonomisë shqiptare, punësimit të qytetarëve të Elbasanit, punësimit të qytetarëve shqiptarë. Ne do të marrim statusin e vendit kandidat dhe do të kemi në ballë një pasaportë tjetër, atë të statusit të vendit kandidat. Ne do të hapim negociatat. Ne do të vazhdojmë me ritmet më të shpejta, rrugën e zhvillimit, rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Edhe një herë, ju ftoj që këtë kohë ta shndërrojmë fushatën elektorale në një festë të vërtetë të vlerave tona më të arrira qytetare, të besimit tonë tek njërit-tjetri, tek liria, tek vendi, tek e ardhmja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›