E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Albanian Files” dëshmon mungesën e plotë të transparencës

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për librin “Albanian Files”, duke e akuzuar se po përpiqet të përdorë emrat e arkitektëve dhe studiove ndërkombëtare për të mbuluar, sipas tij, mungesën e transparencës në projektet e zhvillimit në Shqipëri.

Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Berisha u shpreh se libri nuk përfaqëson një sukses të qeverisë, por, sipas tij, e paraqet Ramën si “një sulltan të një sulltanati të shekujve më parë”, që e trajton Shqipërinë si pronë personale.

Ai tha se botimi ngre pikëpyetje mbi mënyrën e financimit të 523 projekteve të përfshira në të, duke kërkuar hetim ndërkombëtar për burimin e fondeve.

“Ka dy momente shumë të rëndësishme. Së pari, ato 523 projekte të paktën duhet të jenë paguar me miliarda euro për hartimin e tyre. Kush i ka paguar këto projekte? Cili është burimi i parave të këtyre projekteve? Ftoj Eurojust-in, Interpol-in dhe Europol-in të hetojnë fillimisht burimin e pagesave në këto studio”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu Ramën për konflikt interesi, duke pretenduar se ai ka përfituar në zonën e Gjipesë.

“Së dyti, Edi Rama në atë libër ka interesa familjare, ka plaçkitur në kundërshtim me të gjitha ligjet kanionin e Gjipesë dhe ka vendosur aty hotelin e fildishtë, e qelqtë mbi kanion. Përveç saj edhe në troje të tjera. Ndaj reagimi i publikut dhe i protestës ndaj librit ishte një reagim dinjitoz dhe plotësisht i merituar”, u shpreh ai.

Berisha komentoi edhe nismën e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës digjitale dhe programin “Rilindja Urbane 2.0”, duke e akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të fondeve publike.

“Sot flet për ‘Rilindjen Urbane 2.0’. Pasi vodhi 2.3 miliardë euro për 61 sheshe të shtruara me rrasa guri në mbarë Shqipërinë, tani thotë se do t’i ngrejë përsëri rrasat për të futur kabllot, sepse nuk e bëri dot herën e parë”, deklaroi Berisha.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›