Berisha: Altin Dumani kryekriminel, Taulant Balla përdori bandat për vota duke bërë arrestime selektive

Për herë të parë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha shkoi në SPAK për të zbatuar vendimin e Gjykatës që e detyron atë të paraqitet dy herë në muaj para oficerit të policisë gjyqësore. I rrethuar nga demokratët që ishin mbledhur për ta mbështetur, lideri i opozitës Sali Berisha hyri në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në orën 10:00.
Berisha qëndroi vetëm pak minuta brenda godinës së SPAK-ut pasi procedura e paraqitjes është formale dhe kryetari i PD shfrytëzoi praninë e mediave për të akuzuar prokurorët e posaçëm se veprimet ndaj tij i kanë kryer për qëllime politike, ndërkohë që kanë mbyllur dosjet më të rëndësishme për korrupsion apo krim elektoral.
“Altin Dumani është një kryekriminel elektoral sepse ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit monstruoz electoral”, tha Berisha.
Për të mbështetur akuzat se SPAK-u nuk po heton krimet zgjedhore, Berisha akuzoi ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, për favorizimin e bandave kriminale në këmbim të votave për Partinë Socialiste. Berisha pretendon se ekziston një përgjim i një anëtari të bandës së Elbasanit i cili kërkon nga Taulant Balla arrestimin e kundërshtarëve.
“Në datën 10.2.2020, target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me PIN, me telefonin e tij AM5P80, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord që t’i kërkonin Taos. Ky mesazh iu përcoll dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Pra, do na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju? Përgjigjia ishte: Po, ne e garantojmë këtë”, deklaroi Berisha.
Sipas Berishës, pas këtyre komunikimeve kanë ndodhur edhe arrestimet.
“Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Kjo është e vërteta. Ata shkuan në burg në mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan”, tha Berisha.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, kryetari i PD Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Berisha është marrë i pandehur në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” dhe SPAK-u e akuzon se ish-kryeministri ka miratuar ligje e vendime në favor të dhëndrit të tij, Jamalber Malltezi./vizionplus.tv