Berisha: Ata ndërkombëtarë që e mbështesin Ramën, nuk e duan vendin tonë
Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike atë ndërkombëtarë që kanë mbështetur opozitën. Berisha tha se ata ndërkombëtarë nuk e duan Shqipërinë njësoj si Edi Rama.
Dua tu them qytetarëve se, pavarësisht nga këto oferta, zoti Rama e shprehu se bojkoti, realizoi qëllimin. Qëllimi i tij ishte dhe është bllokimi i statusit. Fakti që të gjitha vendet e morën përveç Shqipërisë, të cilës i bllokohet për herë të dytë, sepse ata janë fatlumë se nuk kanë një opozitë, që ka përzgjedhur bllokimin e disa reformave të integrimit si rrugën për kthimin e vet në pushtet, ka përzgjedhur dëmtimin e interesit të çdo qytetari, siç e bëri qartë edhe me vizat, për të ardhur në pushtet më shpejt, çka jam i bindur se kjo ishte një përzgjedhje e gabuar. Nuk ndodh ndonjëherë, që një opozitë te këtë si objektiv kryesor mos votimin e ligjeve të reformave të integrimit. Ky është rasti i veçantë. Ndaj dhe duke bërë ofertën tonë, ne ju themi qytetarëve shqiptarë, se kjo është një çështje që do ta zgjidhin vetë shqiptarët. Komuniteti ndërkombëtarë ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshmet dhe dua tju them këtu, se në këto përpjekjeje ka pasur të atilla, që janë përpjekur me çdo kusht për të ndihmuar Shqipërinë. Ka pasur të tjera që absolutisht janë përpjekur për të ndihmuar vetëm zotin Rama dhe aspak Shqipërinë, sepse jo të gjithë e duan këtë vend, tha Berisha.
Kryeministri tha se aleanca e këtyre ndërkombëtarëve me Edi Ramën ka prodhuar 140 mijë vota më shumë për koalicionin e tij.
Kjo nuk ndodh. Por cili ka qenë rezultati? Rezultati i këtyre miqve të shumtë që deshën të ndihmonin Shqipërinë, për fat të keq ishte ai për të cilin punuan, sepse zoti Rama , nuk pranoi asnjë nga sugjerimet, kurse rezultati për ata të cilët u angazhuan me të gjitha mënyrat për të ndihmuar zotin Rama, është thellësisht dëshpërues, sepse në fakt në rrafsh partiak ndihmuan Sali Berishën dhe partinë e tij. Po pse? Se zoti Rama ndenji dy vjet duke shqipëruar dy milion herë thirrjen hap kutitë. Çfarë solli kjo, çfarë ndodhi? E vetmja gjë që ndodhi dhe që nuk mund ta mohojë kush, që Partia Socialiste u fut në kuti, këtë e them në mënyrë figurative, sepse ajo harroi të përmbushë misionin e vet, të opozitës, të kritikës, të kontrollit, të vëzhgimit të qeverisjes, ajo u mor me katër faqet e kutisë, një kuti që nuk u hap kurrë. Në këtë kënd e dëmtuan zotin Rama thellësisht ata që u përpoqën ta ndihmojnë atë, në mënyrë të pandershme, sepse e inkurajuan në një mënyrë ose në një tjetër të mbajë atë kurs që mbajti, i cili kushtoi 141 mijë vota më pak në zgjedhjet e 8 majit dhe disfatën personale në kryeqytetin e vendit, tha Berisha.
Këto janë të shkuara, unë ftoj zotin Rama në rast se dëshiron reforma, të ulemi në kushte pariteti, reformën zgjedhore, ku institucionet e vendit ato duhet të ndërtohen sipas kushtetutës. Nuk do të krijojmë ne me dhjetëra KQZ-ra një institucion, i cili ndërtohet me një mekanizëm të caktuar, siç është komisioni elektoral, ndërtohet nga partitë, të tjerat ndërtohen nga institucionet, KQZ, KZAZ, KQV, dhe Komisioni i Numërimit, janë të gjitha produkte akordi ndërpartiak të domosdoshme. Të përpiqesh të transpozosh këtë koncept në shtetin në tërësi, kjo dëshmon se ke probleme serioze konceptesh për shtetin.
Pavarësisht krizës ekonomike në botë, këtë vit do të kemi buxhetin më të madh në historinë e vendit për të realizuar programin tonë. Në këtë buxhet është parashikuar sërish rritja e pagave dhe pensioneve. Ne i qendrojmë kësaj politike, për të investuar në burimet njerëzore.Poshkojmë drejt arritjes së standarteve të vendeve të zhvilluara. Këto rezultate janë evidente. Buxheti do të mbështesë përfundimin e të gjitha akseve rrugore, duke nisur që nga autostrada Levan-Tepelenë, rruga e Arbrit, autostrada e Elbasanit etj. Punimet në Levan-Tepelenë u shtynë për shkak se nuk mund të punohej mbi trashëgiminë botërore të Apolonisë dhe u detyruam që të ndryshojmë projektin. Shqipëria do të ketë një rrjet rrugor, që askush nuk e ka imagjinuar gjatë 100 vjetësh. Vendi do të ketë një infrastrukturë të re dhe kjo është një arritje e madhe. Kudo që shkoj më duket si një Bukuroshe e Fjetur, që pret të zbulohet, ka deklaruar Berisha.
Më tej, ai u ka lënë porosi deputetëve të tij që të shkojnë në gjithë Shqipërinë për projektin e shpallur nga ai në lidhje me mbjelljen e arrorëve dhe ullinjve.
Ju bëj thirrje ju deputetëve, që në kuadër të projektit të arrorëve dhe ullinjve, të ndërmerrni udhëtime për të parë ullishtet e pafundme të mbjella nga ana e fermerëve. Sa herë udhëtoj në Shqipëri, gjej dyfishimin e zonave të mbjella me ullinj. Këtë e pashë në Gjirokastër dhe për këtë ka meritë edhe deputeti Ruli, që i ka inkurajuar, tha Berisha.