Berisha: Beteja jonë vazhdon, nuk ka polici që mund një popull kryengritës

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi protestën e sotme të opozitës si “një betejë për liri”, kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së tij nga selia blu në mbyllje të protestës, Berisha tha se opozita nuk do të tërhiqet nga protestat.
Sipas tij policia pengoi marshimin paqësor të opozitës, duke paralajmëruar se “regjimi do të mbajë përgjegjësi” për veprimet ndaj protestuesve.
“Së pari, një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju që sot, këtë ditë shiu, këtë ditë jo të lehtë, latë çdo gjë dhe si elitë e vërtetë e guximit të kombit dolët në shesh për t’u përballur me të keqen më të madhe të shqiptarëve. Sot, regjimi dëshmoi përsëri fytyrën e tij të vërtetë, bllokoi marshimin paqësor tonë. Bllokoi marshimin tonë paqësor. E garantoj se do të ketë të gjithë përgjegjësitë që meriton.
“Miq, nuk ka polici në botë që mund një popull kryengritës. Dhe ne jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve: ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se beteja e opozitës është për çdo qytetar shqiptar.
“Beteja jonë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari. Beteja jonë është betejë për të ardhmen e Shqipërisë. Beteja jonë është betejë, është kryengritje kundër regjimit më të keq, kundër mafies më të rrezikshme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se opozita do të vijojë protestat deri në largimin e qeverisë.
“Edhe njëherë, ja vdekje ja liri, ne do të fitojmë. Beteja vazhdon. Edhe më të pamposhtur. Edhe më të fuqishëm. Edhe më të vendosur se kurrë më parë”, tha Berisha.
/m.q/r.e/a.f/