Berisha: Bojkoti avantazh për Ramën, përgjigjen do t’ja japim në parlament

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se opozita nuk duhet të bojkotojë Parlamentin, pavarësisht shkeljes së të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës.
Gjatë mbledhjes së kryesisë dhe sekretariateve të PD-së, Berisha tha se bojkoti do t’i shërbente kryeministrit Edi Rama dhe se deputetët demokratë duhet të vijojnë betejën politike brenda Parlamentit.
Sipas tij opozita ndodhet përballë vështirësive të mëdha në jetën parlamentare, ndërsa shtoi se qeveria po kufizon të drejtat e deputetëve të opozitës dhe rolin e tyre si përfaqësues të qytetarëve.
“E vërteta është se, të drejtat themelore kushtetuese të deputetëve shkelmohen dhe nuk respektohen. E vërteta është se, Edi Rama bën gjithçka që PD të privohet nga jeta parlamentare dhe komponenti i saj parlamentar.
“Mohohen njëra pas tjetrës të drejtat më themelore kushtetuese me një qëllim të vetëm, që roli ynë, funksionet tona si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë të asgjësohen. Në këtë kuadër, vendimi më i lehtë i kësaj partie do të ishte bojkoti i parlamentit. Por unë kam qenë dhe mbetem i bindur, mbetem thellësisht i bindur se ky do ishte një avantazh për Edi Ramën”, tha ai.
Berisha tha se deputetët demokratë do të përdorin hapësirën parlamentare për të vijuar përballjen politike me qeverinë.
“Ne në parlament jemi në kushte shumë të vështira, por në këto kushte ne duhet t’i japim atij po në parlament përgjigjet më të forta të mundshme që mund t’i japim”, tha ai.
/m.q/a.f/