Berisha: Brukseli i shqetësuar për ndërhyrjet politike të Ramës në drejtësi dhe zgjedhje

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar sërish akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa pretendon se Brukseli është i shqetësuar për presionet e qeverisë ndaj drejtësisë dhe ndërhyrjet në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Berishës, Brukseli kritikon emërimet e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke theksuar se ato janë të mbushura me defekte dhe pa integritet.
“Shpreh shqetësim të madh për ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe presionet në sistemin juridik. Unë mendoj se vetëm këto dy fjali, janë prova të qarta të zëvendësimit në këtë vend të shtetit ligjor me narkoshtetin e Edi Ramës. Ka defekte të mëdha në emërime të anëtarëve jomagjistratë nga famozja KLGJ dhe KLP si dhe integriteti i tyre. Pra, Brukseli konstaton se ka probleme me integritetin e të emëruarve. Raporti është pra një damkosje e vërtetë e këtij regjimi dhe nuk mund ta ndryshojnë me të gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që ka bërë Edi Rama, me gjithë lobimet dhe qindra orë telefonata, me gjithë shumë akte të tjera vulgare, banale, primitive, të dënueshme, raporti nuk u ndryshua dot. Dhe ky raport i Komisionit Europian do të diskutohet në korrik pasi u miratua në AFET”, tha Berisha.
Në lidhje me zgjedhjet e fundit, Berisha tha se raporti i Parlamentit Europian konfirmon se procesi zgjedhor u zhvillua në kushte të pabarabarta dhe se Edi Rama përdori burimet shtetërore për fushatën elektorale. Ai e akuzoi Ramën për krijimin e një “shteti elektoral”, duke i dhënë vetes kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet.
“Raporti që i kalojë Parlamentit Europian, i referohet pikë për pikë paragrafit të parë të raportit të OSBE/ODIHR, delegacionit të Parlamentit Europian, delegacionit të Këshillit të Europës, në të cilin thuhet se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta. Barazia në fushatë elektorale është kriteri i të gjitha kritereve për zgjedhje të drejta apo zgjedhje që respektojnë parimet ndërkombëtare. Por, raporti damkos Edi Ramën jo vetëm se deklaron se fusha ishte e pabarabartë, por sepse thotë u përdorën gjerësisht burimet e shtetit për fushatë elektorale nga partia në pushtet. Pra, raporti akuzon Edi Ramën se ka krijuar shtetin elektoral dhe kusht themelore kjo për shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale”, tha Berisha.
/rtsh.al/