E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Do bëjmë gjithçka duhet për votën e diasporës

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD do të bëjë gjithçka duhet për votën e diasporës.

I pyetur në një konferencë për shtyp nga gazetarët për gatishmërinë e PD nëse duhet ndërhyrë në Kodin Zgjedhor apo Kushtetutë për realizimin e votës së diasporës dhe nëse ka pasur një komunikim zyrtar nga KQZ apo PS, Berisha tha se, “jo, nuk kam një komunikim të qartë zyrtar, por në rast se debatet dhe mendimi i ekspertëve kërkon që për këtë problem të ketë ndryshime, qoftë në kod, qoftë në Kushtetutë, ne jemi të gatshëm”.

Ai theksoi se PD është e gatshme sepse, “së pari, rrugën për në Kushtetutë e ka hapur Gjykata Kushtetuese. Vendimi i gjykatës është normë kushtetuese”.

Së dyti, shtoi ai, “ne e kemi me shumë zemër sanksionimin dhe ushtrimin e votës”.

“Pra, e kemi me shumë seriozitet, me shumë interes. Çfarëdo që duhet për të garantuar këtë votë, ne jemi të gatshëm”, tha ai.

“Edi Rama nuk pranoi reformën zgjedhore, gabuan ata që thanë se bëmë reformë, jo, asnjë lidhje me reformën. Kishte lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe një ligj që ne e kemi dërguar që në vitin 2013 për votimin e shqiptarëve jashtë vendit”, u shpreh Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›