Berisha: Dyfishojmë pagat e pensionet

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot në Korçë “Foltoren e Ripërtëritjes”. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se “ripërtëritja” është motoja kryesore e PD-së dhe se qëllimi i saj është, sipas tij, “ripërtëritja e Shqipërisë në të gjitha aspektet”.
Sipas tij shqiptarët nuk duhet ta votojnë PD-në për atë që ka bërë në të kaluarën, por për angazhimet që ajo merr për të ardhmen.
Berisha renditi një sërë premtimesh sociale dhe ekonomike, duke përfshirë dyfishimin e pagave dhe pensioneve, vendosjen e minimumit jetik dhe rimbursimin e të gjitha ilaçeve.
“Dyfishohen rrogat, dyfishohen pensionet, jepet minimumi jetik, rimbursohen të gjitha ilaçet. Dhe unë u garantoj se nëse PD ka ndërmarrë ripërtëritjen si moton e saj më kryesore, ka vetëm një qëllim të vetëm për të ripërtërirë Shqipërinë në të gjithë aspektet. Për t’u rikthyer shqiptarëve pasuritë që ata kanë”, tha ai.
Berisha tha se PD do të jetë “parti e taksave të ulëta”, duke mbrojtur idenë se paratë duhet të mbeten më shumë në duart e biznesit dhe qytetarëve sesa të përfundojnë në arkën e shtetit.
“Ne qëndrojmë fuqishëm dhe ne jemi parti e taksave të ulëta Po pse jemi parti e taksave të ulëta ne? Edhe ne na duhen paratë. Por në filozofinë tonë, paratë janë më të vlefshme në xhepin tënd, o biznesmen, se në arkën time. Dhe kjo filozofi është filozofia e lirisë. E lirisë ekonomike. Dhe ne qëndrojmë fuqishëm prapa këtyre parimeve”, tha ai.
/m.q/a.f/r.e/