Berisha: Dyshja Rama-Balluku kapi protestën e flamingove

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun se kanë ndikuar në protestën qytetare, të cilën e cilësoi si më madhështoren që ka njohur Shqipëria. Sipas tij, personat që kontrollonin mikrofonin u jepnin fjalën vetëm atyre që pranonin të përdornin sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”, duke përjashtuar të tjerët.
Në një deklaratë për mediat, Berisha falënderoi deputetët e PD-së, qytetarët, anëtarët e strukturave të partisë, mbështetësit e saj, studentët dhe gjimnazistët për kontributin e tyre në zhvillimet e javëve të fundit.
Ai falënderoi gjithashtu ekipin ligjor të PD-së për angazhimin në mbrojtjen e qindra protestuesve, si dhe mjekët dhe deputetët që, sipas tij, kanë ndihmuar të plagosurit në spitalet e vendit.
Kreu i PD-së dënoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, duke pretenduar se ata kanë qenë paqësorë dhe se në qindra raste gjykatat kanë konstatuar arrestime të paligjshme.
Duke folur për qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj protestës, Berisha tha se partia kishte vendosur të mos përpiqej t’i merrte drejtimin apo ta përçante atë, por të nxiste pjesëmarrjen sa më të gjerë të qytetarëve.
Megjithatë, sipas tij, protesta u kap që në fillim nga Edi Rama dhe Belinda Balluku.
Sponsorizuar
“Por duhet të them këtu, ajo protestë madhështore, e paparë ndonjëherë në historinë e vendit, u kap në krye të radhës nga dyshja famëzezë Rama-Balluku”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi personat që kontrollonin mikrofonin se u jepnin fjalën vetëm atyre që pranonin të thërrisnin “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa të tjerët përjashtoheshin.
“Çdo njeri që paraqitej tek banda e mikrofonit, merrte porosi se ç’do të thoshte”, u shpreh Berisha, duke pretenduar se kjo praktikë synonte të kontrollonte mesazhet që përcilleshin nga protesta.
Në vijim, ai tregoi edhe për një rast kur, sipas tij, një person kishte refuzuar të fliste sipas porosive që i ishin dhënë, duke deklaruar se kishte dalë në protestë për idealet e veta.