E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Greqia kërkon betimin e Fredi Belerit, e pengon Rama për qëllime mafioze

Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se ligjet e vendit nuk e ndalojnë dot Fredi Belerin të bëjë betimin si kryebashkiak i ri i Himarës.

Sipas tij, atë e ndalon Rama dhe jo ligji për ta bërë një gjë të tillë. v

“Absolutisht vetëm Edi Rama, sepse ligjet e vendit nuk e ndalojnë kurrë Belerin për të bërë betimin.

Dhe betimet janë bërë në këtë vend, jo një por disa, pavarësisht se kanë qenë të burgosur.

Është Edi Rama që ka marrë pushtetin juridik dhe nuk lejon të betohet. Betimi i Belerit nuk kërkon vendim gjykate, nuk kërkon vendim prokurorie, kërkon urdhër administrativ nga ministri i Drejtësisë që ta shoqërojnë në sallën e mbledhjeve të bashkisë së Himarës ku të bëjë betimin”, u shpreh Berisha.

Berisha vuri në dukje se Greqia nuk kërkon asgjë tjetër veçse betimin e Belerit, por sipas Berishës, atë e pengon Edi Rama për “qëllime mafioze, është i harbuar, i tërbuar pas trojeve në Himarë.”

“Është ministria e Drejtësisë, është drejtoria e Përgjithshme e burgjeve, është gjithçka ekzekutive. Për të mos thënë që organet e kontrolluara nga Edi Rama të drejtësisë, kanë pranuar  si provë atë që me procedurë penale nuk pranohet si provë.

Pra, po e pengon Edi Rama. Nuk po kërkon Greqia asgjë tjetër, veçse zbatimin e ligjeve të vendit. Po e bllokon për qëllimet më mafioze, është i harbuar, i tërbuar pas trojeve në Himarë”, ka theksuar Berisha gjatë një konferencë për shtyp.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›