Berisha: Insistojmë për qeveri teknike, zgjedhjet nuk do të bojkotohen

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se opozita insiston për qeveri teknike, ndërsa deklaroi se “në vitin 2025 është radha jonë e fitores”.
Në një intervistë televizive, Berisha u shpreh se opozita do të bëjë gjithçka për ta larguar nga pushteti Edi Ramën.
Po ashtu, ai garantoi se zgjedhjet nuk do të bojkotohen.
Ndërsa solli në vëmendje rezolutën e miratuar nga PPE për Shqipërinë, Berisha u shpreh se ajo u miratua nga 108 parti të qendrës së djathtë në mbarë botën.
“Edi Rama ka dërguar me dhjetëra mesazhe që të mos miratohej rezoluta. Ka dërguar mesazhe duke thënë se do të bënte reformimin e opozitës. Me pak fjalë e ka shpallur veten diktator”, tha Berisha.
Duke folur për heqjen e masës së sigurisë ndaj tij, Berisha komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kushtetuesja ka diskutuar gjerë e gjatë se si të mos shkruanin që është shkelur Kushtetuta. Por ata shkruan se ‘u vendosën masa jo-proporcionale’. Nëse ata do të shpreheshin se është shkelur Kushtetuta, kjo do të thoshte se Sali Berisha po mbronte Kushtetutën. Por Gjykata mbajti një qëndrim të turpshëm, ishte një vendim me dy masa, dhe nëse bie njëra pikë, bie edhe tjetra”, shtoi ai.
/m.m/a.f/r.e/