E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Ka vetëm një rrugë, largimin e Edi Ramës, qeveri teknike dhe përsëritjen e zgjedhjeve

Kryedemokrati Sali Berisha vijon akuzat ndaj Partisë Socialiste për manipulim e tjetërsim votash.

Ai shprehet se rruga e vetme për të shpëtuar shqiptarët nga farsa elektorale, është largimi i Edi Ramës, qeveria teknike dhe përsëritja e zgjedhjeve.

“Raporti do të jetë pasqyra më e vërtetë e kësaj farse, për të cilën edhe njëherë, fjalën do e kenë shqiptarët.

Ka vetëm një rrugë, largimin e Edi Ramës, qeveri teknike dhe përsëritjen e zgjedhjeve.

Asnjë alternativë tjetër nuk shpëton shqiptarët nga farsa elektorale e instaluar në Shqipëri”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit ishte i prerë ndaj pyetjeve të gazetarëve nëse do të dorëhiqej nga drejtimi i selisë blu për t’i hapur rrugën anëtarëve të rinj, duke theksuar se ai e ka dhënë një herë dorëheqjen nga PD dhe nuk do e bënte sërish.

“Unë kam menduar dhe e kam bërë realitet atë. Unë e kam bërë realitet. Kjo pyetje nuk më shtrohet mua dot, se unë kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, unë dhashë dorëheqjen.

Dhe një i ri erdhi pas meje. Nuk e zgjodha unë atë, atë e zgjodhi anëtarësia e PD. Pasi u zgjodh, unë e mbështeta sepse unë isha thjesht një anëtar partie luajal i forcës time politike.

Por nuk mund të mos thuash se nuk ishte i ri. Ishte i ri. Është tjetër problem se çfarë përfaqësimi bëri ai për gjeneratën e vet. Nuk ishte përgjegjësia ime ajo”, deklaroi Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›