Berisha: Kemi marrë përsipër misionin për të shpëtuar Shqipërinë

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në “Foltoren” e zhvilluar sot para Kryeministrisë theksoi se “vendimi ynë për misionin e ri të përmbysjes së diktaturës së re është vendimi më i drejtë që kemi marrë ndonjëherë”.
Berisha ftoi të pranishmit të mendojnë sikur të mos ishte kryengritja paqësore e qytetarëve se çfarë turpi do të ishte për shqiptarët, për opozitën shqiptare të mos reagojë.
Më tej Berisha u ndal tek deklaratat e Kryeministrit Rama për ndryshime në Kodin Penal.
“Vendosi përsëri të ndryshojë ligjin, të votojë ligjin në parlament, me të cilin ai beson se do mund të vjedhë shqiptarët, ai dhe ministrat e tij, dhe drejtësia nuk do mund të veprojë mbi ta”, u shpreh Berisha.
“Nuk ka gjë në botë të pengojë popullin shqiptar, opozitën shqiptare pa mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën”, theksoi Berisha.
Duke u ndalur tek protesta e paralajmëruar e 20 shkurtit, Berisha tha se do të jetë ditë krenarie kombëtare.
“Dhe shkojmë më 20 shkurt më krenarë se asnjëherë. Shkojmë më 20 shkurt në një kohë kur ne kemi marrë, të betuar, përsipër misionin e shpëtimit të Shqipërisë”, deklaroi Berisha. /k.s/j.p/