E Enjte, 5 Nëntor 2026

Berisha: Kryesia e PD të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Partia Demokratike mblodhi sot në seli Kryesinë e saj.

Kryetari i PD, Sali Berisha në fjalën e tij të mbajtur online nga arresti i shtëpisë, u shpreh se, Kryesia e PD mblidhet për të marrë përsipër përgjegjësinë e kthimit të votës së lirë.

“Sot, Kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Ai theksoi se, PD në vitet e fundit përjetoi një proces të rrallë, të vështirë.

Por, shtoi ai, “PD sot është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht përpjekjet ishin që kjo forcë politike të denatyrohej, të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit, të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të spostohej aksi i programit të saj”.

“Ju keni bërë një betejë të fortë, por dhe të suksesshme. Jeni përballur me probleme të mëdha, të vështira dhe ato janë kapërcyer. Kemi hyrë tani në një vit elektoral”, tha më tej Berisha.

Berisha shtoi se, PD ishte pro votës së 1.5 milionë shqiptarëve të diasporës.
“Ishte PD ajo që ia doli të votojë respektimin e së drejtës kushtetuese të mbi 1.5 mln shqiptarëve që ndodhen jashtë shtetit. Dhe unë besoj se, asnjë demokrat nuk duhet të imagjinojë se një parti e lirive dhe të drejtave të qytetarëve do mund t’i lejonte vetes t’i bëhej shkak që ajo e drejtë themelore kushtetuese t’u mohohej qytetarëve shqiptarë në kohën që ajo e kishte shpallur publikisht atë që nga viti 2012 e në vazhdim”, tha Berisha.
Gjithashtu kreu demokrat tha se, zgjedhja e kandidatëve për deputetë të PD do të bëhet sipas primareve.
“Ne jemi parti që për zgjedhjen e deputetëve e ka të fiksuar në statutin e saj me mekanizmin e Primareve”, tha Berisha.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›