E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Makolli, vlerësohet kontributi i diasporës shqiptare

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar kontributin e diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si thellësisht atdhetare dhe që i ka shërbyer çështjeve kombëtare gjatë gjithë kësaj periudhe. Në takimin e zhvilluar me ministrin e Diasporës së Kosovës, Ibrahim Makolli, kreu i qeverisë shqiptare e njohu atë me ngritjen e në Shqipëri të Komitetit të Diasporës, i cili do të ketë si mision të tij dhe do t`i kushtojë një vëmendje të veçantë lidhjeve me diasporën.

Ky komitet do të ketë si përparësi të punës së tij bashkëpunimin e ngushtë me ministrinë e Diasporës së Kosovës dhe me institucionet e tjera në vendet e rajonit, të cilat kanë si mision të tyre marrëdhëniet me shqiptarët jashtë atdheut.
 

Në këtë kontekst, në takim, u theksua rëndësia që shqiptarëve të diasporës t`u krijohet sa më shpejtë mundësia infrastrukturore për të votuar në zgjedhjet demokratike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duke ushtruar kështu një të drejtë kushtetuese të tyre dhe duke u shndërruar në aksionarë të vërtetë politikë në vendet e tyre pavarësisht distancës.
 

Ministri Makolli e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i shprehu vlerësimet më të larta për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të padiskutueshëm të kryeministrit dhe të qeverisë shqiptare për promovimin e çështjeve kombëtare në përgjithësi dhe në veçanti për kontributin për Kosovën e për njohjen e plotë të pavarësisë të shtetit më të ri të Evropës.
 

Në takim u rikonfirmua vendosmëria dhe angazhimi i të dy vendeve për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë dhe për të zhvilluar një përqasje të përbashkët ndaj diasporës shqiptare me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e identitetit dhe kulturës kombëtare, të lidhjeve të ngushta me diasporën, e cila tashmë është shndërruar jo vetëm në një kontribuues të fuqishëm ekonomik për vendet, por edhe në një faktor të rëndësishëm politik e intelektual dhe një urë e rëndësishme për thellimin dhe konsolidimin e miqësisë midis Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit tonë me të gjitha vendet ku ata ndodhen.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›