E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mandatin tonë të dytë s’e ndal dot një hije që kërkon të vdekur

Kryeministri Sali Berisha ka qartësuar në Shkodër kursin politik të së djathtës në fushatën e ardhshme zgjedhore: atë të marrjes së një mandati të dytë, për të përmbyllur kursin e reformave me integrimin e vendit në BE. S’mund të ketë kthim prapa tek mashtrimet dhe politika e korrupsionit me lejet e ndërtimit dhe censurës në media

TIRANE - Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në përurimin e disa veprave publike, kryesisht në fushën infrastrukturore. I shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryetari i bashkisë Lorenc Luka, deputetë të Shkodrës dhe autoritetet lokale, kryeministri Berisha u shpreh në fjalën e tij para banorëve, se në këto tre vite të qeverisjes së djathtë, Shqipëria hodhi hapa madhorë në drejtim të konsolidimit ekonomik, duke ndërmarrë reformat më të thella në sektorin fiskal, dyfishin e pagave dhe pensioneve, investimet infrastrukturore, krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja, të cilat e kthyen e kthyen Shqipërinë në një vend tërheqës dhe të besueshëm për ndërkombëtarët.
“Ne ecim drejt mandatit të dytë të sigurt, pasi këtë vend e shndërruam në një vend të respektuar dhe normal. Ju duhet të jeni krenarë se 27 vende të Bashkimit Evropian diskutuan pozitivisht, me fjalët më të mira për Shqipërinë dhe votuan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Rruga drejt Evropës është një rrugë e pandalshme dhe e parikthyeshme. Ne shembëm murin e Berlinit në Tiranë dhe në Shqipëri, ne do të vendosim Shqipërinë në Evropë. Në më pak se një muaj, ju dhe të gjithë shqiptarët do të festojnë anëtarësimin e vendit në NATO, që do të thotë se ju shumë shpejtë do të jeni qytetarë dhe qytetare të një vendi anëtar të NATO-s”, tha Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se qeveria e djathtë shkon e sigurt drejt mandatit të dytë, pasi e ka kthyer Shqipërinë në një vend tërheqës dhe të besueshëm për investitorët e huaj. “Vetëm në dhjetor-janar janë nënshkruar 3.5 miliardë euro kontrata për hidrocentrale, për parqe energjetike të tjera të mëdha dhe për fabrika të mëdha. Në këtë kontekst kryeministri garantoi se vitet që vijnë këto do të duken shumë pak sepse do të ketë kontrata të tjera më të mëdha që do të firmosen”, u shpreh Berisha.
Kryeministri vlerësoi në vijim se Shqipëria ka potenciale të mëdha, duke renditur si të më të rëndësishmin, atë turistik, ku theksoi se qeveria po investon në infrastrukturë.
Kreu i ekzekutivit ju referuar programit qeverisës të mazhorancës së djathtë, duke e cilësuar atë si programin e transformimit të këtij vendi.
Nga ana tjetër, kryeministri shtoi se “një alternativë apo një hije po qarkon nëpër Shqipëri dhe kjo është hija e atij, i cili nuk ka alternativë tjetër vetëm shpalljen e të vdekurve në aksident si të vrarë nga qeveria, nuk ka alternativë tjetër vetëm krijimin e skandaleve, nuk ka alternativë tjetër veç mbrojtjes së dosjeve për të mbrojtur arkivin e tij të tmerrshëm familjar, nuk ka alternativë tjetër përveç mashtrimeve dhe trillimeve”, u shpreh Berisha.
Në këtë drejtim, shefi i qeverisë i bëri thirrje elektoratit të Shkodrës që të votëbesojnë të djathtën.
Kreu i qeverisë Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e rrugës pedonale “Kolë Idromeno” në qytetin e Shkodrës, duke e vlerësuar këtë si një ditë të veçantë për Shkodrën dhe një rikthim të madh tek vlerat e saj, kryeministri u shpreh se ky qytet mijëravjeçar mban në gjirin e vet visaret më të çmuara të qytetërimit shqiptar dhe qytetërimit perëndimor në përgjithësi.
Berisha i garantoi qytetarët e Shkodrës se ky është vetëm njëri nga projektet, sepse ata do të jenë të vazhdueshme.
Më pas Kryeministri i shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit Topalli dhe deputetë të Shkodrës përshkuan në këmbë rrugën “Kolë Idromeno” dhe u takuan e u përshëndetën me qytetarë të Shkodrës.
Në vijim të vizitës në qytetin e Shkodrës, Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të hapjes së Bankës Italiane për Zhvillim.
Duke e vlerësuar degën e kësaj banke si një azhur në rrugën e sapo inauguruar “Kolë Idromeno”, kryeministri theksoi se kjo bankë ka si mision të saj kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me një shumë fillestare 25 milionë euro, që përbën në këtë kohë një faktor shumë të çmuar për zhvillimin e biznesit në këtë qytet.
Banka Italiane për Zhvillim, tha Berisha, është vetëm një nga qindra projekte të mëdha italiane, të cilat zhvillohen nga Gjirokastra në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë.
Kryeministri theksoi se përgjigjja më e mirë dhe mirënjohja më e thellë është që qeveria qendrore dhe ajo vendore të krijojnë një klimë sa më miqësore për biznesin.
“Unë shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Këshillin Bashkiak të këtij qyteti, qytetarët e Shkodrës, të cilët në një vlerësim që Banka Botërore u bëri 22 qyteteve të 7 vendeve të rajonit doli në një nga vendet më të mira për sa i përket krijimit të lehtësirave për biznesin”, theksoi kryeministri.
Në vazhdim të vizitës në qytetin e Shkodrës, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Duke i’u drejtuar studentëve dhe pedagogëve, Berisha u shpreh, se “me ju studentët dhe të rinjtë e Shqipërisë, kam një raport kryesor, përjetësisht të pazgjidhshëm, raportin e lirisë, sepse ishit ju ata që me guximin rinor, me imagjinatën tuaj, u ngritët së bashku dhe përmbysët një diktaturë”.
Qeveria, tha Berisha, ka shpallur dhe shpall përparësi absolute shkollimin tuaj, shkollimin e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.
 “Sot, të dashur studente dhe studentë, nuk kërkoj votën për këto që kemi bërë, por, sot, së bashku në këtë rrugë ne u themi çdo shqiptari dhe çdo qytetari të këtij vendi se ne jemi ata që mbajmë premtimet dhe ne nuk zhgënjyem shpresat tuaja, por në shndërruam premtimet tona në realitet. Në katër vitet që vinë transformime dhe hapa të mëdha do të bëhen drejt moshës dixhitale. Pse unë përqendrohem kaq shumë tek mosha dixhitale? Përqendrohem sepse ajo është mosha juaj dhe se jam i bindur se interneti dhe kompjuteri në duart tuaja do të thotë shpejtësi reaktive për Shqipërinë dhe Shqipëria ka nevojë për këtë shpejtësi. Edhe unë ju jap fjalën ju, se në rast se ne gjatë këtij mandati shtrimë internetin në katër anët e vendit, në mandatin tjetër nuk do të ketë studentë dhe studente të mos kenë kompjuterin e tij personal”, i’u drejtua Berisha studentëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›