Berisha: Mazhoranca, pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot në Kuvend, ku u diskutua rezoluta për procesin e integrimit evropian, se për PD-në “integrimi në BE është dhe mbetet ylli polar i programit të saj”.
Berisha theksoi se procesi i integrimit duhet të bazohet te merita dhe performanca, jo tek “mashtrimet, manipulimet dhe censura”.
“Ne e konsiderojmë integrimin e Shqipërisë në BE si të ardhmen më të mirë për qytetarët shqiptarë. Por ne, në dallim nga ju, këtë proces në interesin vërtet jetik të qytetarëve shqiptarë, e marrim si një proces të bazuar në meritë dhe performancë. Kurse ju e merrni dhe ndërmerrni këtë proces të bazuar në mashtrime, në manipulime, në censurë, në fshehje të të vërtetave. Ky është dallimi më esencial që ekziston midis nesh dhe jush”, tha Berisha.
Sipas tij, lufta në Ukrainë ndikoi që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin një shtysë më të fortë drejt integrimit evropian për arsye gjeopolitike, por shtoi se qeveria shqiptare ka dështuar të përmbushë standardet e kërkuara.
“E vërteta, lufta në Ukrainë, siç i thonë asaj fjalës, se jo çdo e keqe vjen për një të keqe, lufta në Ukrainë krijoi në Bruksel dhe kancelaritë evropiane mendimin se Ballkani Perëndimor duhet me një proces intensiv të integrohet në BE. Në këtë kontekst, kjo ishte një gjë shumë pozitive. Dhe kjo jo falë standardeve apo punës së këtyre vendeve, por para së gjithash kriterit gjeopolitik.
“PD ka deklaruar në atë kohë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter përveç kriterit gjeopolitik, por ne mbështesim qoftë dhe vetëm bazuar në këtë kriter, integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Berisha.
Kreu i PD-së tha se në muajt e fundit në Bruksel janë zhvilluar debate intensive për Shqipërinë dhe se janë dërguar disa misione faktmbledhëse për të verifikuar problematikat e ngritura ndaj qeverisë. Sipas tij mazhoranca ka cenuar procesin zgjedhor të 11 majit, teksa shtoi se institucionet shtetërore janë shkrirë me strukturat partiake.
“Sot shqiptarët duhet ta dinë se ky 5-mujor ka qenë 5-mujori i interesit maksimal, i debateve më intensive në Bruksel për Shqipërinë. Tre misione faktmbledhëse dërgoi Brukseli në Shqipëri, që të gjitha për shkak të mashtrimeve, bëmave dhe gjëmave tuaja.
Erdhën të vërtetonin në Shqipëri gjëra të pabesueshme që i dëgjonin dhe konkluduan Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, të cilin ju e censuruat gjer sot me mediet tuaja, i cili u thotë shqiptarëve dhe Evropës se zgjedhjet e 11 majit ishin zgjedhje në të cilat institucionet e shtetit u shkrinë me strukturat partiake”, tha Berisha.
Berisha tha se mazhoranca ka bllokuar organet e drejtësisë dhe ka dëmtuar reformën në drejtësi.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se mazhoranca e përdor integrimin evropian vetëm për propagandë politike, ndërsa sipas tij nuk respekton detyrimet ligjore dhe standardet demokratike.
“Pra, ju e keni hipokrizi integrimin. Raporti thotë se qeveria duhet të sjellë në parlament çdo tre muaj raportin. Keni parë gjë o deputetë raport ju?”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Berisha tha se ai “është armik i integrimit. Ka interesat e pasurisë së tij dhe jo interesat e integrimit të shqiptarëve”.
Berisha u ndal te raporti për standardet e ndërmjetme, i njohur si IBAR, për të cilin tha se prej muajsh nuk po miratohet, por përkundrazi po pasurohet me problematika dhe kritika të reja ndaj qeverisë shqiptare.
“Që nga fundi i shkurtit gjer sot, raporti për ato që quhen standardet e ndërmjetme, IBAR, ai raport nuk kalon, përkundrazi plotësohet, plotësohet, shtohet. Unë nuk di se çfarë diskutohet atje, se nuk jemi, por konferenca ndërqeveritare e parashikuar më datë 20 prill, u shty, nuk u bë. Se ç’ka aty, unë nuk them, nuk mund të flas në emër të IBAR, por di që është diskutuar nja 6-7 herë dhe plotësohet gjithnjë e më shumë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, mazhoranca “është pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim”.
/m.q/r.e/a.f/