E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Mbështes idenë e një kandidati të përbashkët nga opozita për kryetar Bashkie Tiranë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur pro idesë për një kandidat të përbashkët të opozitës për kryetar të Bashkinë e Tiranës, por ka theksuar se ai nuk duhet të jetë një figurë jopolitike. Sipas tij, një kryetar bashkie në kryeqytet duhet të ketë një program të qartë dhe politik për të përballuar situatën aktuale, të cilën e quan rezultat i një “narkoshteti”.

“Për të dalë partitë opozitare më një kandidat, këtë e mbështes plotësisht. Por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i bashkisë së kryeqytetit, një njeri jopolitik, një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Sepse ai të paktën duhet të ketë një program, në të cilin çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit në Tiranë. Nuk di se ç’nënkuptohet me kandidat apolitik, nuk e kam të qartë, por për një kandidat të përbashkët, plotësisht e drejtë është si sugjerim”, tha Berisha.

Ndërkohë, kreu i PD ka bërë edhe akuza të reja të rënda ndaj institucioneve të sigurisë, duke pretenduar se një bashkëpunëtor i njohur i bandës së Nuredin Dumanit, është emëruar zëvendësdrejtor policie në Elbasan si shpërblim për aktivitetin e tij kriminal gjatë zgjedhjeve.

“Do paraqes prapë një akt tjetër se si Altin Troplini fle mbi dosjet e krimit. Se si i akuzuari nga Nuredin Dumani, Krenar Guçe, si oficer ndërlidhës i bandës, bashkëpunëtor i bandës, sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, emërohet zëvendësdrejtor i policisë në qarkun e Elbasanit për t’u shpërblyer për aktivitetin e tij kriminal elektoral, për lidhjet e tij me kartelin e Suel Çelës dhe banda të tjera.  Nuredin Dumani nxjerr emrin e një tjetër oficeri policie si bashkëpunëtor të krimit. Gjatë procesit gjyqësor me dyer të mbyllura, i pandehuri i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka përmendur emrin e një oficeri policie të cilin e akuzon si bashkëpunëtor të krimit.

Dumani ka deklaruar se oficeri Krenar Guçe informonte anëtarët e grupeve kriminale për lëvizjet e objektivave. Ai ka specifikuar se Krenar Guçe njoftonte Henrik Hoxhajn, një anëtar i grupit kriminal, i cili më pas ia përcillte informacionin e tij”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›