E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mbështesim rekomandimet e OSBE, depolitizimi i administratës zgjedhore i negociueshëm

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se opozita mbështet plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore, ndërsa theksoi se çështja e depolitizimit të administratës zgjedhore mbetet e negociueshme.

I pyetur nëse PD është dakord edhe me rekomandimin për depolitizimin e administratës zgjedhore, Berisha u shpreh se kjo pikë do të diskutohet në vijim të negociatave.

“Ky problem është i negociueshëm, do negociohet mbasi vetë OSBE/ODIHR ka meritën e veçantë të stigmatizojë si terroriste, por aty afër, në rrafshin politik për zgjedhjet, patronazhistët”, tha Berisha, i cili shtoi se mediet “censuruan raportet ndërkombëtare që damkosin qeverinë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve”

Ai tha se opozita nuk ka ende një dakordësi përfundimtare, pasi materialet nuk janë marrë ende për shqyrtim të plotë.

“I mbështesim plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR, nuk ka akoma dakordësi sepse nuk e kemi marrë materialin për shqyrtim. Unë nuk di të ketë asnjë draft të përbashkët të miratuar”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi sqaroi se Komisioni i Venecias ende nuk ka dhënë opinionin përfundimtar dhe se një draft i OSBE/ODIHR është pjesë e punës së komisionit të reformës zgjedhore.

“Ka akoma opinione Komisioni i Venecias në lidhje me draftin. Ka një draft të OSBE/ODIHR-it, i cili është pjesë e punës që do bëjë komisioni për të çuar më tej ligjin e financimit të partive politike, por Komisioni i Venecias shprehet në datë 13 qershor”, tha ai.

Berisha vlerësoi raportin e OSBE/ODIHR, duke e cilësuar atë “të shkëlqyer” dhe duke theksuar se rekomandimet do të merren seriozisht nga opozita.

“Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh. Natyrisht presim dhe rekomandimet e Komisionit Venecias. Nuk di asnjë lloj dakordësie gjer sot midis drejtuesve të komisionit të reformës, sepse nuk e kanë marrë materialin për shqyrtim. Presin të gjitha këto dhe pastaj do ta shqyrtojnë”, tha Berisha.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›