Berisha: Mbështesim studentët në protestë, kemi strukturat e FRPD-së që nga fillimi aty

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se mbështetja për studentët është e pakufishme nga ana e demokratëve.
Në një intervistë për Klan News, Berisha theksoi se strukturat dhe Forumi Rinor i Partisë Demokratike janë aty në protestë që nga minuta e parë e saj dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë deri në fund.
Berisha pohoi se mbështetja e PD-së për protestën nuk e “vret” lëvizjen e studentëve, por përkundrazi i jep forcë asaj.
Ai theksoi se Partia Demokratike ka shpallur dy parime, të cilat sipas tij, në thelb mbrojnë studentët dhe kauzën e tyre.
“Protestën unë e kam mbështetur sipas rregullave që ata e përcaktuan vetë. Ne kemi shpall dy parime: parimi i parë, të mbështesim studentët me potencialin tonë; parimi i dytë, të mbrojmë studentët. Jemi në origjinë në këtë protestë. Ne kemi strukturat e Forumit Rinor që janë aty që nga minuta e parë dhe ata do jenë aty deri në fund. Falangat e Edi Ramës, që janë aty për ta “vdekur” protestën, dalin me tezën dhe thirrjen “Rama në burg”, “Berisha në burg”, nuk ka mashtrim më të madh se kjo që të thuash pozita dhe opozita janë njëlloj”, theksoi Berisha.
Sa i përket qendrimit të tij ndaj listave të hapura në zgjedhje, Berisha u shpreh pro këtij sistemi, duke deklaruar se do ta mbështeste menjëherë.
Berisha tha se ndryshimet e mëparshme në Kodin Zgjedhor në vitin 2008 iu imponuan nga opozita e drejtuar asokohe nga Edi Rama.
“Na e imponoi Rama me përfaqësuesit e tij, ai kishte vota, ne nuk kishim votat. Nuk kishim alternativë, ose të bojkotonim zgjedhjet, ose të pranonim Kodin”, tha ai.
I pyetur në lidhje me 21 Janarin, ku katër protestues u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Berisha, i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit, tha se protestat “lindën” nga një video, që sipas tij, ishte tërësisht e falsifikuar. Për Berishën, më 21 Janar, armët e zjarrit janë përdorur tërësisht në përputhje me ligjin.
“Protesta e 21 Janarit bazohej në një video të montuar, u krijua në një falsitet. Aty lakohej një njeri, që nuk kishte lidhje fare. Në 21 Janar, policia mbajti qëndrim ligjor, 120 policë janë plagosur atë ditë dhe efektivët kanë marrë përgëzime nga gjithë ndërkombëtarët. Armët e zjarrit janë përdorur në përputhje me ligjin. Në atë kohë ka qenë prokurore një kundërshtare e imja”, u shpreh Berisha.
/m.q/r.e/a.f/