E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, McCormak: Numri i madh i qëndrave të votimit dhe numërimi i shpejtë, suksesi i proçesit

Ulja e numrit të zgjedhësve në qendrat e votimit dhe proçesi i shpejtë i numërimit të votave, ishin dy nga treguesit më kryesore që bënë që proçesi zgjedhor i 23 qershorit të shënonte tregues pozitiv në demokracinë e vendit.

Në këtë mënyrë e ka vlerësuar proçesin zgjedhor të 23 qershorit shefja e misionit të vëzhgimit të OSBE- ODIHR Conny McCormak gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha.

Zonja McCormak vlerësoi pozitivisht organizimin e ditës së votimit, duke theksuar se zhdukja e radhëve në votim, si pasojë e uljes së numrit të zgjedhësve për qendër votimi, ishte një përmirësim i dukshëm.

Ajo u shpreh se proçesi i numërimit shënoi gjithashtu përmirësim. Për këto arsye tha ajo ky proçes tregoi pjekurinë e demokracisë në Shqipëri.

Nga ana tjetër kryeministri në largim Sali Berisha vlerësoi punën profesionale të vëzhguesve të ODIHR në zgjedhje, të cilët sipas tij ishin element themelor për garantimin e transparencës dhe të besueshmërisë së proçesit zgjedhor.

Kryeministri e çmoi proçesin zgjedhor me standarde të larta dhe të civilizuar, si dhe vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në votim.

Ai theksoi se numri i vogël i ankesave, i cili i dedikohet një proçesi numërimi jashtëzakonisht transparent dhe të rregullt, është tregues për cilësinë e lartë të këtyre zgjedhjeve.

Po ashtu shefja e misionit të vëzhguesve të ODIHR u takua me Ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, ndërsa palët vlerësuan proçesin zgjedhor të 23 qershorit si të susksesshëm.
Në këtë takim dy bashkëbiseduesit nënvizuan vullnetin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen.

Znj. McCornack falenderoi Ministrin Bumçi për bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare me vëzhguesit ndërkombëtarë.

Në veçanti, ajo shprehu vlerësime për ecurinë e procesit zgjedhor. Sa i përket procesit të numërimit të votave, kryesuesja e ODIHR-it u shpreh se procesi ishte transparent dhe profesional.

Ministri Bumçi falenderoi zonjën McCormack për angazhimin e saj personal dhe për punën e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, duke e cilësuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë si shumë të rëndësishme në realizimin e standardeve më të mira të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se këto zgjedhje shënuan një hap përpara drejt konsolidimit demokratik dhe proceseve integruese të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›