Berisha, Meta, Imami, Ruli luftë korrupsionit! Po kush e bën, mos vallë gjyshja ime?!
Kam shfletuar këto ditë raportet ndërkombëtare të viteve 1997-2012, që kanë publikuar treguesit dhe nivelin e korrupsionit në vendet në monitorim special, tipike të Botës së Tretë, siç është dhe Shqipëria. Në 107 raportet e publikuara nga institucionet investiguese e vlerësuese zyrtare ndërkombëtare dhe institucionet e specializuara të shoqërisë civile në SHBA, BE, KiE etj, rezulton se në këto 15 vite, të dy qeverisjet politike PS e PD dhe 11 kabinetet qeverisëse të emërtuara Nano, Majko, Meta, Berisha e Berisha-Meta, kanë si tregues korrupsionin e lartë dhe interesin e ulët, madje pengimin e qëllimshëm për ta luftuar atë. Ky tregues korrupsioni në Shqipëri, jo vetëm ka ardhur në rritje, por është institucionalizuar e është bërë pushtet më vete, madje tepër i fuqishëm, komandues në jetën parlamentare, legjislative, ekonomike, të drejtësisë, të qeverisë, të shtetit, të politikës.
Nëse në Shqipëri, kushtetueshmërisht ka katër pushtete, praktikisht funksionojnë 5 pushtete, mbasi është ligjësuar dhe pushteti i korrupsionit. Ky është pushteti i parë, i plotfuqishëm në Shqipëri. Pushteti i korrupsionit kontrollon dhe komandon shtetin, duke i imponuar atij heshtje totale përballë veprimtarisë që strukturon e zhvillon. Pushteti i korrupsionit kontrollon dhe komandon plotësisht qeverinë, duke pasur përfaqësuesit e tij të fuqishëm në kabinet, që nga kryeministri, deri tek ministrat dhe zyrtarët e lartë poshtë tyre. Siç dihet, kryeministri Sali Berisha dhe qeveria nuk orientohen më nga programi qeverisës dhe nga interesat kombëtare e ato të sovranit (siç reciton me tallje Sali Berisha), por nga interesat dhe programi i pushtetit të korrupsionit. Parlamenti shqiptar është kthyer në punishte që prodhon ligje posaçërisht vetëm për interesat e Pushtetit të korrupsionit. Sipas një raporti investigues të ekspertëve të huaj e shqiptarë të ligjëvenies, në vitet 1997-2011 parlamenti shqiptar ka miratuar 975 ligje që mbështesin dhe mbrojnë interesat e mafies ekonomike shqiptare, qeveritare, rajonale e ndërkombëtare, duke zbatuar në mënyrë të bindur programin e pushtetit të korrupsionit në sektorin e ligjvënies. Drejtësia është një tjetër pushtet i kapur, që komandohet vetëm nga Pushteti i korrupsionit dhe qëndron në gjunjë si kone e bindur përballë tij. Pushteti i medias (pak media janë të lira) është një tjetër pushtet lavir, që po zvarritet deri në pështirosje e neveri nën urdhrat dhe këmbët e Pushtetit të korrupsionit. Politika është një tjetër pushtet, që pasi e ka mbarsur e pjellë korrupsionin, tashmë e ka rritur dhe e përfaqëson totalisht Pushtetin e korrupsionit me kapot e saj politikë, qeveritarë e ligjvënës. Të gjithë pushtetet, të gjithë kapot e pushteteve, si të mos jenë produkt, nënprodukt, peng, përfaqësues e shërbëtorë aktiv të pushtetit të korrupsionit, dalin e ulërijnë tribunave dhe ekraneve të TV-ve për luftë kundër korrupsionit! Duket qartazi që edhe në fjalimet e tyre të luftës kundër korrupsionit, në çdo rrokje kanë korrupsion në shërbim të korrupsionit. Edhe në kumtesat e tyre për luftën kundër korrupsionit, ata flasin me gjuhën e mbrojtjes dhe fuqizimit të pushtetit të korrupsionit, përcjellin vetëm tezat e programit të Pushtetit të korrupsionit.
Dëgjova dje. Dëgjova pardje. Kam 10 ditë që dëgjoj, kam 20 vjet që dëgjoj kapot e kupolës së pushteteve e të politikës shqiptare, të cilët (gjoja) kërkojnë të luftohet e të zhduket korrupsioni. Veçanërisht lufta kundër korrupsionit, po përdoret si model drejtësie e ndershmërie pikërisht tani, që po flitet për heqjen e imuniteteve të pa hequra e të mbajtura po prej tyre prej 20 vjetësh. Po nga kush po përdoret ky model ndershmërie, i luftës kundër korrupsionit? Pikërisht nga këta kapobanda të korrupsionit qeveritar e politik, nga këta monstra të pushtetit, të drejtësisë dhe politikës 20 vjeçare, të cilët i kanë mbajtur e vazhdojnë ti mbajnë këto imunitete, si mburojë për të siguruar llogari bankare e pasuri kriminale. Imuniteti për ta ka qenë një mjet special i fuqishëm personal e familjar, për të mos u kontrolluar nga shteti, për të mos u ballafaquar me ligjin, për të mos u ndëshkuar nga drejtësia. Dhe tani, që janë majmur e janë bërë me pasuri trashëguese të pakonsumueshme as nga 20 breza pasardhësish, dalin e na bëjnë llogje me heqje imuniteti. Dalin e na bëjnë gallatë publike, se gjoja me heqjen e imunitetit këta do të luftojnë korrupsionin. Po kush e bën korrupsionin?! Po cilët të korruptuar, do luftoni, veten tuaj?!
Del kryeministri Sali Berisha, i cili e ka bandën e korrupsionit e të mafies ekonomike qeveritare brenda në krevat e në shtëpi tek aktiviteti korruptiv që bën gruaja, vajza, djali, kunati, dhëndri, mbesa, nipi e krushku dhe ulërin gjoja për luftë kundër korrupsionit! Del Tano Karidi kryeministri Sali Berisha, i cili e ka kabinetin me ministra super të korruptuar e të penalizuar dhe mban fjalime qesharake e bajate, se do luftojë korrupsionin! Del Espinoza Ilir Meta dhe betohet për luftë kundër korrupsionit, kur është etalon i korrupsionit qeveritar e politik shqiptar, kur jeton si SHEIK me pasuri të shumta e të fuqishme të siguruara me korrupsion kryeqeveritar. Del Genc Ruli, fytyra me e deformuar e krimit ekonomik shqiptar në këto 20 vite dhe na bilbilos leksione për luftën kundër korrupsionit. Del super i korruptuari deri me krim vrasës njerëzor Fatmir Mediu dhe na reciton citate për luftën kundër korrupsionit. Shikoni tribunat e konferencave për luftën kundër korrupsionit. Kush janë ata që mbajnë ligjërata? Kryeministra e ish-kryeministra, ministra e ish-ministra, deputetë e ish-deputetë, kryetar e ish-kryetarë gjykatash, krye-prokurorë e ish-kryeprokurorë, politikanë e ish politikanë, të cilën njihen si koka e korrupsionit dhe e krimit ekonomik shqiptar, si mbrojtës e mos ndëshkues të kapove të korrupsionit në këto 20 vite. Të gjithë akuzojnë njeri-tjetrin për korrupsion, të gjithë mallkojnë bashkërisht korrupsionin, të gjithë japin ide e firmosin pakte për luftën kundër korrupsionit. Të gjithë shkojnë nëpër kolltuqet e tyre dhe që prej andej vazhdojnë të bekojnë dhe mbrojnë korrupsionin.
Të gjithë shefat e korruptuarit flasin kundër korrupsionit
SALI BERISHA: Korrupsioni është kanceri i një shoqërie dhe i një qeverie, ne si qeveri e kemi fituar betejën me këtë kancer, zotohem se do ta luftojmë me tolerancë zero
