Berisha: Misioni ynë, largimi i kësaj qeverisje, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se misioni i opozitës është largimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama, krijimi i qeverisë teknik dhe më pas mbajtja e zgjedhjeve të lira.
Duke folur në një konferencë për mediat së bashku nënkryetarin e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe deputetët Albana Vokshi, Ivi Kaso dhe Gent Strazimiri, Berisha tha se me protestën e mbrëmshme të opozitës “Edi Rama u shkarkua nga detyra”. Ndërsa theksoi se beteja e opozitës do të vazhdojë deri në fitore.
“Ndaj dhe beteja jonë vazhdon deri në fitore dhe ne do e fitojmë këtë betejë. Edi Rama mendon të përdorë mandatet si bajoneta krimi për të mbrojtur veten e tij. Gabohet shumë rëndë.
Gjithçka është në dorë të qytetarëve tani. Mbrëmë, ai u shkarkua nga detyra de facto. Para të gjithë botës është një kapobandë nuk është asgjë më shumë.
Një avokat mjeran që fshihet pas Lubi Ballukut, pas Ergys Agasit etj., me radhë. Duke falënderuar edhe njëherë me mirënjohjen më të madhe të gjithë ata të rinj, të reja, burra, gra, të moshuar, pensionistë që lanë çdo gjë dhe mbushën sheshin, i ftoj të jenë të gatshëm të përshkallëzojmë luftën, betejën tonë gjer në përmbushjen e misionit”, u shpreh Berisha ndërsa shtoi se misioni i opozitës “është largimi i kësaj qeverisje, qeveri teknike, zgjedhje të lira. Opozita në pushtet në mënyrë të pashmangshme”.
Berisha vuri në dukje se me ngjarjet e fundit kryeministri Edi Rama është damkosur në sytë e Bashkimit Evropian.
“Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, çdo opozitar i këtij vendi, çdo socialist i ndershëm i këtij vendi, duhet ta ketë të qartë, dhe e ka të qartë se me zhvillimet dhe zbulimet e fundit, faktimin, se unë për shembull Ergys Agasin jo vetëm në këtë sallë, por edhe në aulat më prestigjioze të Europës, në Këshillin e Europës, në Parlamentin Europian, në PPE, në rezolutat tona, e kemi damkosuar si koordinatorin e Edi Ramës për veprat më të zeza. Dhe tani po faktohen. Pra, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjmë me një përballje për jetë ose vdekje të demokracisë shqiptare”, tha më tej Berisha.
/rtsh.al/